16 Nëntor, 2020 - 2:32 pm
Medina Pasoma
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në kuadër të organizimit “Ditët e Alfabetit-2020” ka përkujtuar dy zëra të mëdhenj të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën dhe Hanife Sejfulla Reçanin, shkruan KultPlus.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore kishte bashkuar folës, artdashës e dëgjues të muzikës së Pagarushës e Reçanit, të cilat kanë lënë një krijimtari të bujshme për artin shqiptar. Nexhmija e njohur për zërin e saj të veçantë, që e bëri ta marr epitetin “Bilbil i Kosovës”, e në anën tjetër Hanifja si një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës folklorike dhe popullore, u kujtuan nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Teksa organizimi përkujtues u moderua nga Sefer Tahiri, fjalën i pari e mori drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani.
“Kur jemi përcaktuar për këtë temë, kemi pasur parasysh tre faktorë, e para depërtimi i zërit të gruas në shoqërinë patriarkale ka qenë sfidë dhe të gjitha ato që kanë provuar ta rrëzojnë këtë mur refuzimi janë ballafaquar me paragjykime dhe stigmatizim nga më të ndryshmet”, nisi fjalën e tij Asani.
Tutje ai vazhdoi duke përmendur edhe dy faktorë tjerë, e që përmendi mendimin e mëparshëm se gruaja nuk do të mund të kishte sukses pa burrin.
“Afirmimi i gruas shqiptare në një dimension më të gjerë publik ka shënuar shkallën e përparimit të shoqërisë”, theksoi kryetari i Institutit.
Fjalimin e saj, profesoresha nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”- Rreze Kryeziu e realizoi me një lidhje digjitale në organizim, e cila i përgëzoj organizatorët për përzgjedhjen e kësaj teme. Teksa fliste për Nexhmije Pagarushën, ajo theksoj se ishte gruaja e cila theu paragjykimet e kohës dhe u bë shembull për të tjerët.
“Me anë të saj ne mund të kuptojmë historinë e një populli të shtypur midis Ballkani”, shtoj profesoresha Kryeziu, e cila tha se Pagarusha është “fenomen i papërsëritshëm”.
Për këngëtaren Hanife Sejfulla Reçanin, fjalën e morri profesori i Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani dhe Bekim Ramadani.
“Grua e matur, e kulturuar, e sinqertë. Ka qenë e denjë dhe ka pasur qëndrim mjaft aktiv ndaj muzikës. Sjellja e saj në skenë ka qenë profesionale dhe ka shërbyer si model për interpretuesit që erdhën më vonë”, vlerësoj Ramadani.
Tutje profesori universitar theksoj se muzika shqiptare nuk e pasuroi Hanifen por, ajo muzikën.
Pastaj fjalën e morri edhe profesori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Agim Poshka
“Kishte nevojë për një zonjë të dytë, përveç zonjës Pagarusha, që do t’i sjellte atë freski që gjithmonë gruaja di të sjell në skenë kur bëhet fjalë për dinjitetin artistik”, vlerësoj Poshka për këngëtaren me prejardhje nga Kukësi, Hanife Sejfulla Reçanin.
Ishte radha për vlerësimet e një bashkëqytetari, i cili edhe e kishte ndjekur punën e Hanifes duke raportuar si gazetar. Publicisti dhe shkrimtari Lulzim Haziri theksoj se ajo ishte model i gruas që kishte pasur guximin të sfidon kohën dhe mentalitetin përmes thyerjes së tabuve dhe hapjes së rrugëtimit edhe për gratë e tjera.
Përtej fjalimeve, për këtë organizim ishin përgatitur edhe punime më të larta akademike. Kështu, Ermal Mehmeti nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe profesoresha nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Shkupit, Jeta Starova kishin përgatitur punimin shkencor “Nexhmije Pagarusha dhe Baresha”. Për fund këta të dy interpretuan muzikë, duke i sjellur një gjallëri dhe atmosferë organizimit.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup premtoi se do të bëjnë më shumë për botimin dhe hulumtimin e këtyre dy figurave të mëdha të muzikës shqiptare./KultPlus.com