26 Qershor, 2021 - 1:27 pm
Në kuadër të “Muajit të Muzikës, ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka kujtuar një nga figurat më të rëndësishëm të artit dhe muzikës shqiptare.
Feim Ibrahimi lindi në Gjirokastër më datën 20 tetor 1935 dhe ka qenë ndër kompozitorët më të njohur të Shqipërisë. Ishte i pari kompozitor me peshë në Shqipëri që studioi vetëm brenda vendit, duke ndjekur në vitin 1962 deri më 1966 Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, dhe ku studioi nën drejtimin e artistit të njohur Tish Dajia. Pas përfundimit me rezultate shumë të larta të konservatorit ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni në vitet 1966–73.
Ai gjithashtu mbajti detyrën e rëndësishme të Sekretarit për Muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, 1977–1991 më vonë në vitet 1991-1992 ka qenë edhe Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë.
Ai u përpoq dhe ka kontribut shumë të madh që të çonte muzikën shqiptare në skenën muzikore europiane. Nga viti 1978 e deri në vitin 1991, punoi pa reshtur për pranimin e muzikës shqiptare në UNESCO dhe në 1991 ai u bë presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës, duke arritur më në fund, ta bënte atë, anëtar të Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO.
Artisti pati një karrierë të gjatë dhe të mrekullueshme dhe pikërisht për meritat artistike, në 1989, i akordohet edhe titulli “Artist i Popullit”, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë. Ndërsa në vitin 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Nderi i Qytetit”. Këtë titull e mban edhe nga qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra. Gjatë karrierës së tij ka fituar edhe shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare si në Itali, Gjermani, Francë, Salzburg etj.
Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale etj
Kompozitori u nda nga jeta më 2 gusht të vitit 1997 në qytetin e Torinos në Itali. /atsh/ KultPlus.com