19 Nëntor, 2024 - 7:05 pm
Me një koncert të ndarë në katër pjesë, mbrëmë është përmbyllur Prishtina Jazz Festival, i cili për pesë netë me radhë është mbajtur në ambientet e Teatrit Oda, shkruan KultPlus. Është cilësuar si i suksesshëm në tërësi organizimi i Jazz Festivalit, i cili me edicionin e dytë veçse e ka vulosur rikthimin e tij të fuqishëm pas një pauze disa vjeçare.
Mbrëmja e fundit e këtij edicioni filloi me Sheki Hoxhën & Friends, të cilët për rreth 40 minuta dhuruan emocione të shumta për adhuruesit e muzikës Jazz. Një harmoni e mrekullueshme mes kitarës elektrike, pianos, saksafonit dhe baterive ka zhytur audiencën në tinguj të larmishëm, prej të cilëve çdo moment shpërthente në adrenalinë e vallëzim gjithandej. Befasia e kësaj pjese ishte interpretimi i Taulant Mehmetit.
Pjesa e dytë u dha nga kitaristi Keidi Barbullushi dhe band- i tij nën përcjellje të instrumentit të kontrabasit dhe baterive. Kjo performancë ka përfshirë muzikë tradicionale të Jazz-it amerikan, në përgjithësi me tinguj dhe ritme të njëjta, të cilat të jepnin mundësi më shumë për ta shijuar se sa për të vallëzuar.
Krejt i veçantë ishte interpretimi i artistit Librun Jupolli. Përveç një stili unik interpretues, interferimi i fjalëve të gjuhës shqipe krahas tingujve muzikorë të rrëmbenin në origjinalitetin e tyre. Free Jazz dhe Fuison ishin stilet e muzikës të përfshira në këtë koncert. Lëvizjet e tij milimetrike flisnin shumë për profesionalizmin e tij. Për njëfarë kohe në skenë iu bashkua edhe band-i i tij në piano, kitarë dhe bateri.
Krejt në fund të koncertit u paraqit Visar Kuçi-Trio, i cili ndryshe prej koncerteve të tjera këtë herë interpretonte me kitarë. Kontrabasi dhe bateritë ishin instrumentet përcjellëse. “104”, “August”, “Departures”, “Enisa”, “Kurtulus”, e “Archaic” ishin veprat të cilat dhanë ritme të mrekullueshme për audiencën e cila me gota vere i ndjente në çdo qelizë gjatë tërë mbrëmjes.
Pas pjesës artistike, në një prononcim për media Sheki Hoxha ka thënë se është kënaqur në këtë festival, dhe se e vetmja gjë e keqe e festivalit është që ai tashmë kishte përfunduar.
“Xhaferi e ka organizuar në mënyrë maestrale, shumë të bukur. Interpretuam dy vepra origjinale, gjithsej katër kompozime, dy prej tyre standarde të mirënjohura që të gjithë jazzman-ët i njohin. E shfletova edhe albumin tim dhe e interpertova ‘Kosova Blues’ që e kam incizuar në vitin 1999 dhe deri më atëherë nuk ka pasur album jazz shqiptar. Unë ia kushtova Kosovës pasi Kosova ishte e vuajtur. Tek pjesa e dytë, e aranzhova enkas para një jave. Kështu që e provuam dhe me intruduksionin që ishte askush nuk mund ta dinte se për çfarë vepre bëhet fjalë sepse e përpunova në atë mënyrë. ‘Kosova Blues’ dhe ‘E dehur jam’ ishin autoriale ndërsa ‘Caravan’ e Duke Ellington e autorit të madh”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa artisti Liburn Jupolli festivalin Prishtina Jazz Festival e ka quajtur një perlë prej të cilit është zhvilluar edhe vet ai si artist.
“Shpresoj që njerëzit të vijnë sa më shumë në Jazz Fest. Ky festival është vërtetë një perlë e festivaleve me të cilin jemi zhvilluar unë dhe gjenerata ime. Shpresoj që edhe shumë gjenerata të tjera do të zhvillohen në të ardhmen. Është një festival i rrallë i cili duhet të jetë në skenë dhe të jetë tradicional në Kosovë, ashtu siç janë edhe dy festivale të tjera. Shpresoj që do të bëhet tash edhe një në Ferizaj” ka thënë Jupolli duke potencuar se veprat e interpretura ishin origjinale.
“Festivali që shumë vite ka inspiruar lloje të ndryshme te Jazz-it. Jazz-i është shumë i gjerë. Prej filleve të Jaz-it deri sot kemi disa lloje të ndryshme që janë zhvilluar. Janë interrpretuar Free Jazz, Fusion e disa stile të tjera, të cilat i gjen nga pak nëpër Jazz Muzikën e Kosovës, ka qenë pak a shumë në atë vazhdë. Brenda këtij mini-koncerti janë disa pjesë që ende nuk janë të përfunduara, që kanë me qenë për band të cilat pres me i zhvillu në ndërkohë. Është material prej periudhës kur kam qenë në Francë (2017), që kanë mbetur pa u përfunduar. Është një lloj kaleidoskopi i ideve që i kam mbledhur për publikun e sotëm”.
Ndërkaq, kitaristi Keidi Barbullushi tha se si çdo herë tjetër interpretimi në Kosovë për të ka qenë fantastik.
“Ishte më shumë program amerikan, nuk kemi luajtuar asnjë pjesë origjinale. Ne kishim një format trio, pati shumë liri për secilin, por gjithmonë duke qëndruar te struktura e pjesëve. Të gjitha ishin pjesë amerikane nga kompozitorë të ndryshëm. Koncerti ishte pure Jazz, nuk kishte ndonjë përzierje tjetër. Të gjitha pjesët ishin të fokusuara te Jazz-i tradicional, të gjitha pjesët ishin vepra që janë krijuar në vitet 40- 50-ta. Ishte më shumë në formatin e Jazz-it dhe nuk kishte ndonjë veçanti tjetër”, ka thënë Keidi.
Ndërkaq, Ilir Bajri i cili ka qenë organizator i festivalit qysh në fillet e tij ka thënë ky edicion i këtij festivalit ka pasur nivel të lartë artistik, ritmi i të cilit do të duhej të vazhdohej dhe të shpeshtohej edhe përgjatë vitit.
“Më gëzon fakti që festivali po vazhdon. Ka qenë kohë e gjatë prej kur është mbajtur edicioni i fundit i grupit të parë të koncertve të viteve 2005-2014. Armendi vendosi ta vazhdojë. Ky është edicioni i dytë, shpresoj që të vazhdojë edhe në të ardhmen. I falënderoj institucionet të cilat e kanë përkrahur këtë festival. Duke e marrë parasysh suksesin e këtij edicioni, i cili nuk është vështirë të vërehet besoj që do të përkrahet edhe në vazhdim, pasi një organizim i tillë kulturor është i dobishëm për qytetin. Një festival i tillë e pasuron jo vetëm jetën kulturore të kryeqytetit po iu jep mundësi edhe muzikantëve të rinj që të kenë mundësi me pas mundësi të njihen me muzikë të re, të krijojnë miqësi me artistë të huaj. E kjo është shumë e rëndësishme në zhvillimin e tyre” ka thënë artisti Bajri.
Ai më tej ka thënë se Kosova ka potencial kreativ edhe artistik të gjeneratës së re, dhe sipas tij është mëkat të mos trajtohet me sinqeritet, kualitet dhe përkushtim më të madh.
“Liburni në moment të fundit e pati idenë që me më ftu me interpretu së bashku. Muzika e Liburnit është shumë unike. Kjo është karakteritikë e tij. Interpretuam bashkë e gjetëm balancin. Do të dëshiroja që studentët e shkollave e fakulteteve me qenë më shumë aktiv në pjesëmarrje këtu sepse numri nuk është ndoshta ende shumë i madh, por punojmë edhe në këtë drejtim”, ka përfunduar Bajri.
Prishtina Jazz Festival është mbajtur më 14-18 nëntor, në hapësirën e Teatrit Oda./ KultPlus.com