Përmbyllet PriVocal Fest, ‘PRO ARS’ sjellë vepra unike nga muzika e vjetër maqedone

21 Tetor, 2024 - 10:57 pm

Vjollca Duraku
Foto: Rrahman Osmani

Me koncertin “12 Months” të Korit PRO ARS Choir, i cili u udhëhoq nga dirigjenti Sasho Tatarchevski, u shënua mbrëmja përmbyllëse e edicionit të shtatë të Prishtina Internatonal Vocal Festival, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Bibliotekës Universitare mbrëmë në përmbyllje të PriVocal Fest mblodhi adhurues të muzikës vokale, për t’u dhënë program me muzikë tradicionale maqedone. Kombinimi i ritmeve tradicionale me një formë moderne interpretimi ishte elementi kryesor i mbrëmjes, e cila erdh me një përzgjedhje tejet të veçantë veprash.

Kënga e parë interpretuese që u dha nga 18 pjesëtarët e Korit PRO ARS ishte “Liljano Mome”. Ishte një harmoni zërash që emetoheshin në sallë duke përcjellë një muzikë, kulturë dhe traditë të re te publiku i PriVocal Fest. Ndërsa “Kiten Nakiten” ishte një interpretim me tinguj interesantë, ritmikë që krijonin gjallëri brenda hapësirës.

Interpretimi në gjuhën maqedone, megjithëse nuk kuptohej për nga gjuha, arrinte qëllimin e tij përmes zërave dhe jehonave të profesionistëve të cilët kishin zënë gjithë hapësirën e skenës. Pikat tjera interpretuese qenë: “Zoshto mi se srdish libe”, “Koce Berberot”, “Po Drum Odam Majche”, “Potrchano”, “Ni Prela Gora, Ni Tkala”, “Dervishko Mome”, “Kinisa Da Oda”, “Cvetinite Ochi”, “Da Vaj Me Mila Mamo”, “Kalajdzhisko”.

Pas koncertit, dirigjenti Sasho Tatarchevski ka thënë se përgatitja e një programi të tillë ka qenë mjaftë sfidues, pasi kishin të bënin me vepra nga folklori maqedon.

“Është quajtur “12 Months” sepse janë 12 këngë dhe të gjitha janë të bazuara në këngët ekzistuese popullore maqedonase.  Disa janë shumë të vjetra, nga traditat e vjetra, disa janë më të reja. Këtë e ka bërë një kompozitor shumë i famshëm maqedonas në bashkëpunim me ne PRO ARS Choir. Ai e dinte që do të ishte shumë e vështirë për të kënduar këto pjesë sepse ato janë instrumentale në mënyrën e të menduarit, por ne thjesht donim të bënim diçka që nuk e kishim bërë më parë. Kështu që ne e pranuam këtë sfidë. U desh pak më shumë kohë të përgatiteshim se sa në programet tjera. Në fund është shumë kënaqësi t’i japësh jetë këtij lloj zhanri që nuk është shumë i zakonshëm për rajonin tonë”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.

Ndërsa pjesëtarja e Korit PRO ARS, Elena Vasova, tha se me këto këngë të vjetra në PriVocal Fest është prezantuar Maqedonia.

“Ishte shumë kënaqësi të përgatisnim një program të tillë. Në fillim ishim pak të frikësuar sepse janë pjesë origjinale. Por ja dolëm mirë. Hera e dytë e performancës  ishte edhe më mirë dhe sot mendoj se ishte versioni më i mirë që ne kemi performuar ndonjëherë. Shpresojmë që në të ardhmen do të jemi gjithnjë e më të mirë, sepse e dini që me praktikë vjen madhështia që kemi”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtori i PriVocal Fest, Hajrullah Syla, tha se programi mbrëmjes kishte kërkesa të mëdha artistike, i cili përfundoi me sukses falë nivelit të lartë profesional të PRO ARS Choir.

“Programi i natës së sotme ishte një program me kërkesa të mëdha, e i cili u realizua në një mënyrë mjaftë të mirë nga kori, për të cilën gjë e përgëzoj korin PRO ARS dhe dirigjentin Sasho Tatarchevski, i cili e ka bërë një punë shumë të mirë me ta. Këtë kor e njoh personalisht sepse në të kauarën kam pasur rastin të punoj pjesëtarët e tij në Shkup. Janë në një nivel mjaftë të lartë profesional dhe kjo është dëshmuar edhe sonte në performancën e tyre”, ka thënë drejtori i festivalit Hajrullah Syla.

Më tej, drejtori Syla tha se mbarëvajtja e festivalit ka shkuar ashtu siç edhe është planifikuar, përveç aspektit prezencës së audiencës në ditët e fundjavës.

“Edicioni i shtatë i PriVocal Fest u përmbyll me mjaft sukses, pavarësisht që nuk kemi qenë mjaft të kujdesshëm me aspektin e ditëve të javës. Kjo ka ndikuar pak te dy koncertet e fundit, që ishin gjatë fundjavës në aspektin e prezencës së publikut, pra nuk ka rezultuar ashtu siç e kam pritur. Megjithatë të gjithë ata që kanë qenë besoj që e kanë shijuar shumë”, ka përfunduar drejtori Syla.

Edicioni i shtatë i Prishtina International Vocal Festival u mbajt nga data 14 deri më 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme