10 Mars, 2019 - 11:30 am
Muaji shkurt dhe fillimi i marsit kaluan në një gjendje të veçantë për teatrin Metropol. Nga 8 shkurti deri në 1 mars grupi ‘’Scriptum N’ Sonus’’ performuan në bashkëpunim me ‘Balkan World Music Management’ në festivalin muzikor METROSOUNDS – “Përrallë Mesdheu”.
Një përzgjedhje artistike për të shprehur identitete të ndryshme brenda një identitetit primar, atë mesdhetar solli copëza të ndryshme kulturore, mozaik dialogu ndërkulturor rreth artit dhe kulturës që na bashkon dhe që kemi nevojë të ndihemi, të gjendemi dhe të mendojmë, të gjykojmë sa dhe të përfshihemi në të gjithë format që quhen vlerë, vlerë që duhet përcjellë me njeri-tjetrin për të njohur më mirë.
Çfarë u performua në këtë festival shumëkulturësh në disa dimesione?
Redi Hasa në Trio (midis Shqipërisë dhe Itali), Data: 9 shkurt – Ora 20:00
Më 9 Shkurt, Ora 20:00 në trio, performoi violonçelisti i talentuar Redi Hasa, i njohur për performancën e tij në aktivitete të ndryshme, si atë të fundit të 19-20-21 tetor në festivalin ‘’Fustanella’’, në interpretimin e shumë artistëve të tjerë. Veçanti e këtij insturmentisti është përfshirja e gjithë qenies së tij, ngjizjes me instrumentin dhe melodinë, trupëzimin njësh me instrumentin, plastikën e tij domethënëse që shoqëron meloditë, gjë që shkrihet bukur në vargëzimin e ndërthurur të tingujve të telave ku gishtat e tij ngjitin. Së bashku me Rachele Andrioli në tamburë dhe Rocco Nigro në fizarmonikë violonçelisti solli një natë të paharruar në Metro Sounds Festival.
Mario Mariani (Itali), më 15 Shkurt – Ora 20:00
Data 15 shkurt në orën 20:00 ishte radha e Italianit Mario Mariani. E pazakonta vazhdoi me kompozitorin, pianistin, interpretuesin i njohur për tingujt që ai nxjerr. Ai diti të luajë ashtu si ai ndjen, dhe ashtu si të gjithë artistët e veçantë duan të ndjejnë duke u përfshirë me lum duartrokitjesh. Ai sa përfshihet edhe improvizon, sa tërheq do dhe të bashkëveprojë me muzikantë, artistë e aktorë, me gjithçka që ka lidhje me artin, sepse i tillë është bërë.
Më datë 22 Mars artisti Etibar Asadili në Trio (Turqi)
Data 23 Shkurt ishte e ndryshme sa dhe e veçantë. Në po të njëjtën orë, në 20:00 me pianistin Etibar Asadili zbarkoi trio me bërthamen e vet të zgjedhur, me një shqiptar nga mitrovica, Enver Muhamedi, i gërshetuar me Ekin Cengizkan. U trajtua në zemrën e tyre dhe të artdashësve muzika xhaz me motive etnike shqiptare, turke, azerbajxhanase. Një folk i përzier ku mund të gjenden gjëra të përbashkëta që të tërheqin kulturë dhe identitete të përbashkëta muzikore nën hijen e xhamive për 15 shekuj. Sa më thellë të futesh në kulturë, aq më shumë kuptimet afrohen, ndjesitë përbashkohen, sitli ngjit po të njëjtën substancë, po të njëjtën rime dhe po të njëjtën përfshirje. Duket sikur njeriu, sa i largët dhe i huaj është, aq dhe vlera universale të përbashkëta ka, ku universaliteti i tij përbashkohet në kuptimin ekzistencial të domethënies së qenies. Projekti i Teatrit Metropol do te organizohet me bashkëpunimin e Balkan World Music Management.
Scriptum N’ Sonus, performancë e grupit në shqipërimin e autorëve grekë.
Të enjten në orën 19: 00 në Teatrin Metropol, u mbajt aktiviteti i katërt, Alcedo Folk Band (GR). Përralla e quajtur Mesdheu vazhdoi me mbrëmjen e anëtarëve e grupit ‘’Scriptus N’ Sonus’’ në kulturën greke, me vjershërimet e shqipëruara. Kultura greke foli nga zërat e vecantë dhe të talentuar, në emër të universalitetit të dashurisë, dëshirës, pasionit, jetës, ajo flet po me të njëjtën gjuhë edhe në shqip, ndjehet me po të njëjtën forcë, nuhatet me të njëjtën lehtësi, dhe përfshihet në shumë zemra që dëgjonin në errësirën e drunjtë të karrigeve të sallës Shekspir të teatrit Metropol.
Ata janë grup shumë aktiv dhe shumë të shkathët në seriozitetin e tyre, të gjendur në shijet që sjellin, artistë të talentuar të gjithë për të dhënë interpretimin më të mirë. Sjellin nga pak të gjitha, si shumë përbëresa aromatikë që të bën të ndihesh mirë, kjo e përplotëson si qershia mbi tortë edhe këtë festival në teatrin Metropol.
Java greke si natë e katërt, në 1 mars, erdhi po e magjishme dhe shpërthyese si të gjithë të tjerat.
Mes tingujsh dhe projeksionesh edhe mbrëmjet poetike nga Scriptum N’ Sonus shënjoi përzgjedhje të disa prej autorëve më të mirë të shqipëruar nga letërsia greke.
Scriptum N’ Sonus është një grup i veçantë. Rrugëtimi i tyre i kultivuar në shumë aktivitete, në ngjitje po krijon artdashës të vërtetë. Grupi shqiptar përbëhet nga të rinj që dinë t’u përshtaten eventeve sa të ndërthurin metoda të ndryshme arti, t’u koordinohen kulturave të ndryshme sa të bëjnë artdashësve të kënaqen mbrëmjeve, ata ditën të futen në mendjen e njerëzve me larminë e së pafundmes që do të thotë art. Ndonjëherë njeriu në imtësinë e vargjeve, imazhit dhe notës muzikore mund të gjejë vetveten, siç gjen lulja në pranverë dëshirën të ngrejë krye.
Kush është grupi Scriptum N’ Sonus?
Veç Altin Sulaj që është dhe bazamenti koordinues i grupit, ishte Xhoana që merret me skriptin dhe videon.
Elsa Hajdari është një vajzë tjetër e re, ka kryer studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në degën Marrëdhënie me Publikun. Ka punuar gazetare tek portali ‘’Pamflet’’, dhe për më tepër interpretuese në këtë projekt letrar. Dëshirës për komunikim i shtohet ajo për vjershërim në Scriptum N’ Sonus. Aktualisht punon si gazetare ne një portal online politik dhe drejtoj një radio online.
Alba Dajlani është një vajzë e re nga qyteti i bukur i Pogradecit me prirje për nga arti që në vogëlinë e saj. Ka qenë pjesëmarrëse ne ‘’The Voice Kids’’ dhe ‘’Gjeniu i Vogël’’ si dhe në shumë aktivitete të ndryshme kulturore. Isntrumenti i saj i zemrës është flauti por nuk ngelet pas pianoja, kitara. Dëshiron kompozimin dhe dashuron Jazz. Ajo sikur ka lindur në një teatër simfonik. I shtohet edhe ajo si e re 18 vjeçare grupit Scriptum N’ Sonus.
Sara Cengu, një vajzë e veçantë, 20 vjeçare, vjen nga qyteti i Kukësit. Ajo vazhdon studimet per arte të bukura. Është e apasionuar ndaj çdo forme që quhet art po në veçanërisht asaj i pëlqen vizualiteti, momenti që mund të kapet në arti ne fotografisë. Ajo e ushtron këtë profesion sa dhe videografi e marketing. Pandashmërisht ajo vazhdon në pasionin e saj të zemrës që e bën të rigjenerohet në ndjenjat e saj, pikturën. Por kësaj si qershia mbi tortë i shtohet bashkimi me grupin ku performoi në mënyrë të shkëlqyer. Ritmi i vjershëmit ka sens.
Margret Radovani është sinonimi i vajzave të talentuara të tjera të grupit. Ajo është një muzikante, eksploruese dhe një dëshiruese e çdo forme që quhet art. Pozitiviste dhe e re që mendon se dashuria është baza e një jete të shëndetshme sa dhe e një jete të përplotësuar. I bashkohet edhe ajo me zërin e saj të veçantë ku pas çdo performance ajo do të jap maksimumin me ngjyresat e saj, sidomos në zërin e ulët. E ëmbël dhe ritmike, tonifikuese në notat muzikore.
Xhoni Treni, një instrumentist i ri në kitarë, i cili i është bashkëngjitur grupit. Arti nuk njeh të rinj dhe të vjetër por njeh ndjenjë, gjendje dhe përfshirje, në qoftë se këto arrihen, atëherë raporti i njeriut me artin është arritur, ai duhet të përcjellë njeriun dhe njeriu duhet ta kërkojë këtë me ngulm. Sepse njeriu për më tepër është raport, raport që gjendet në copëza kulturore nëpërmjet shqisave të vet.
Të gjithë këtë grup në mënyrë të suksesshme e ka ideuar, menaxhuar dhe ndërvepruar një djalë i qetë, punëtor dhe fjalëpaktë por i magjishëm në punën e tij. Punë praktike në pamje të vogël, po që të mbledhura bashkë kthehen në kryevepër.
Scriptum N’ Sonus, lind si një ide e tij, strukturohet, rimendohet dhe tashmë vjen te publiku i magjishëm, i veçantë si formë neoklasike i të ripërtëriturit art. Ai ka ditur të gjejë të rinj të këndshëm energjikë, të ndjeshëm, është gjithmonë në kërkim, në rikrijim, riformim të vetvetes dhe eksplorues i pafundëm i artit.
Dikur në Francë në shekullin e 18 këto forma krijoheshin në kabinete Leximi, sot mendja fine e Altin Sulaj e ridimesionon për një kohë moderne. Gërshetimi i muzikës, zërit, figurës e bën atë një novator të formave artistike dhe të kulturës në një të vetme krijim për jetën, dashurinë, ndjenjën dhe emocionet që duhet të përshkruhen. Plotësisht këtë e ndjen i ulur në errësirën, zhytur në mendime. Kjo formë të relakson, të shpie në retrospektivë, në dëshirën për paqe dhe harmoni.
Pasioni për të bashkuar 3 zhanret në një ka ardhur në mënyrë organike pas një rrugëtimi të gjatë nëpër këto 3 shtigje: tingullit të muzikës në moshë fare t vogël, ishte dhe dashuria e parë, librit, e trashëguar nga babai dhe anës vizuale, pasionit të tij për pikturën në veçanti, e më pas çdo lloj arti pamor .
Emisioni Scriptum N’ Sonus transmetohet çdo te enjte në radion kombetare Club FM në orën 23:00 dhe ritransmetohet çdo të dielë në orën 22:00.
Cfarë u prezantua në këtë mbrëmje artistike?
“Scriptum n Sonus” live solli prozën dhe poezinë, lexim, muzikën nëpërmjet novatorizmit të shijeve të muzikës elektronike, neoklasike dhe artet vizuale. Hulumtimi i thellë i kuptimit të qenies, sidomos dashurisë nga buron jeta dhe të jetës nga burojnë dhimbjet, nga dhimbjet e vargut ku burojnë emocionet grupi ishte mjaft i aftë t’ua përcillte artdashësve.
Kjo ndërthurje në larushinë e vlerës tonë dhe të huajës, andej nga ngjizemi dhe ne në raport me tjetrin riformon një kuptim të ri si për letërsinë, si për këngën dhe si për instrumentet. Ajo vjen më e plotë, më ritmike dhe më dinamike në syrin, veshin dhe zemrën e publikut.
Të gjitha këtyre i ndërthuresh një nuhatje e këndshme e platformës së drurit sa kërcitje që vinte në pasazhet e interpretuesve. Druri që sjell klasiken bashkëvepron me neoklasiken, të gjitha bashkëveprojnë në këtë situatë për të sjellë një performancë unike dhe përjetim gjithpërfshirës në teatrin Metropol. Errësira e mbivendosur në aspektet vizuale të mbështeste më fort në dëshirën për të dëgjuar vargun, notat muzikore.
Fillimi i mbrëmjes nisi i butë në efektet elektronike të imazhit që me butësinë, qulltësinë dhe me dritësinë të sillnin një kënaqësi nëpërmjet perlave të shumta të vjershave greke. Vjershat mund të jenë të bukura por që duhen edhe të përcillen bukur, me ndjenjë, me një intonacion që të rok kuptimin. Të gjitha këto erdhën butë, ritmikisht dhe harmonikisht nga grupi.
Ky ishte spektakël i veçantë, ai vinte këndshmërisht dhe të drejtonte ta ndiqje, ta lëshoje veten gërmësisht, në çdo shkallë pentagrami të qenies tënde duke shikuar një rrugëtim të qënies. Kjo qenie vizuale në 4 elementë të jetës, ujit, ajrit, tokës dhe dritës, përpos imazhit perfekt ku sillesh dhe bulëza e ujit, drejtonte për nga kuptimi i jetës nëpërmjet një rrugëtimi, nga ngjizja e njeriut, për në një gjendje metropolitane. Njeriu lind nga uji dhe rritet në të, ushqehet sa dhe përfshihet në ujë, shikon dhe përfshihet me diellin, ecën e jeton në tokë dhe mbretëron në metropolitet mendimesh, e sjellë kjo bukur nga poezitë e përzgjedhura, në këtë aktivitet të kësaj “Përralle Mesdhetare”.
Përralla vazhdoi, në datën 8,9 Mars, Ora 20:00 ishte Koncert i Ansamblit Folklorik Tirana.
Mos e humbisni, i shton jetës diçka më tepër, diçka që quhet ndryshe art!
Eugent Kllapi