15 Shtator, 2018 - 6:13 pm
Vokalisti i rok grupit të njohur Jericho, Petrit Çarkaxhiu pas një koncerti të zhvilluar në Tiranë u shpreh se pas ndarjes nga jeta e batistit të grupit, Suad Jamini, mënyra më e mirë për të kaluar dhimbjen ishte të vazhdonte të merrej me muzikë.
Çarkaxhiu tregoi se nuk e mendon shkëputjen nga “Jericho” edhe pse nuk i thotë “Jo” projekteve veçmas. Jericho i njohur për tekstet kuptimplotë, të bazuar kryesisht në dhimbjen që solli lufta në Kosovë vazhdon të jetë një nga rok grupet më të pëlqyera në trojet shqiptare.
Në “Pop Culture” në TCH ai u pyet se a ka çfarë të shkruajë në kaq kohë pas luftës.
“Mallkimi i këtij populli është se gjithçka ecën shumë ngadalë. Të njëjtat probleme që kishim përpara 20 viteve, i kemi edhe sot. Fatkeqësisht, “Jericho” kanë gjithmonë se për çfarë të shkruajnë”, u shpreh ai.
Me humor u shpreh gjithashtu se femrat si në Kosovë edhe në Shqipëri janë njëlloj të bukura, me përjashtimin se këto të fundit janë më femërore. Aktualisht, grupi “Jericho” ka punuar disa këngë, të cilat priten të dalin shumë shpejt./ KultPlus.com