Petrit Çeku & ‘Croatian Guitar Quartet’ përmes kitarës sjellin art kulmor në skenën e Piano Festit

30 Maj, 2024 - 8:48 pm

Vjollca Duraku

Një mbrëmje me karakter krejtësisht të veqantë nga tradita e deritanishme e “Chopin Piano Fest” u dhurua në koncertin e nëntë të Festivalit nga ansambli “Croatian Guitar Quartet” me fokus në instrumentin e Kitarës, i cili erdh në kuadër të Javës së Kulturës Kroate në Kosovë, shkruan KultPlus.  

Ansambli “Croatian Guitar Quartet” në përbërje me Petrit Çekun, Zoran Dukiq, Maoje Briqiq dhe Tvrtko Sariq mbrëmë dhuruan emocione dhe koncert mjeshtërisht të rrallë në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, e cila kësaj radhe ishte e stërmbushur me publik edhe në hapësirat anash dhe në fund të saj, më shumë se në çdo koncert tjetër të këtij edicioni.

Vet prania e Petrit Çekut dhe fjalët e tij në gjuhën shqipe, të cilën e filste aq ëmbël, krijonte një afërsi të paparë me të pranishmit, ku kjo edhe është arsyeja e parë pse ky ansambël fantastik pati një performancë të tillë e cila u mishërua aq shpejt në aurën e secilit që gjendej aty, rrjedhë së të cilës nuk i shpëtuan as vetë pjesëtarët tjerë të ansamblit.

Vepra e parë e cila u interpretua në koncert ishte “Fandango, G. 448” nga Luigi Boccherini, që dhuroi tinguj të njëtrajtshëm nga katër artistët kitaristë, herë pas here me tone më të larta dhe më të ashpra, duke i dhënë interpretimit më shumë shije, kulmimi i së cilës u arrit me goditjet e dy kastanjetave, që jepnin tinguj me takt nga kitaristi Çeku.

Reagimi i herë pas hershëm i publikut nënkuptonte që performanca po përjetohej plotësisht, përderisa buzëqeshjet e anëtarëve të ansamblit jepnin mesazh që ndjenjat, pasioni dhe arti i tyre po përthithej dukshëm qartë, edhe përkundër një incidenti të vogël, që i shkaktoi thyerjen e thoit të kitaristit Çeku, i cili me shpirt, dhe një ndjeshmëri jashtëzakonisht të thellë, përmes gishtrinjëve të tij të gjatë dhuronte tinguj që e bënin të dukej mbizotërues i skenës.

Një frymë krejt e veçantë interpretuese vërehej edhe te kitarsti Zoran Dukiq, interpretimi i të cilit shoqërohej me lëvizje të flokëve të gjatë, krahas tingujve dhe energjisë që dhuronte përgjatë mbrëmjes artistike. Përderisa Maroje Briqiq dhe Tvrtko Sariq me profesionalizmin e tyre përgjithësisht mbanin ritmin konstant të koncertit.  

Veprat tjera nga periudha të ndryshme stilistike të cilat u interpretuan në koncert e që do të mbahen mend gjatë ishin: “Largo from Violin Concerto, RV297” (Winter) nga A. Vivaldi, “Invierno Porteno (Winter)” nga A. Piazzolla, “Suite du Bourdon (Prelude Aria, Alla Gavotte, Dialogue, Finale)” nga Miroslav Miletiq, “Shoal of Fish” nga Gordan Tudor, “Two movements from Suite Romeo and Juliet  Op. 75 Scene”, “Montecchi e Capuleti” nga S. Prokofiev, “Bagatelles for Home Use”, “Mosso”, “Allegretto- Omaggio a Nino Rota”, “Andante molto comodo”, “Vivace” nga Zoran Juraniq dhe “Concerto para Quinteto” A. Piazolla.

Koncerti në fund u duartrokit shumë, nga ku pasoi edhe një pikë tjetër interpretuese, si shenjë nderimi për reagimin e publikut nga ansambli “Croatian Guitar Quartet”.

Pas koncertit në një prononcim për media Petrit Çeku u shpreh mirënjohës që kishte arritur të sjellë në Prishtinë një artist si Zoran Dukiq, i cili konsiderohet edhe si një ndër artistët më influencues për Kitarën e Muzikës Klasike.

“Koncerti i sotëm ishte u posaçëm për mua sepse jam paraqitur me disa kitaristë të cilët personalisht i adhuroj. Në mesin e tyre ishte edhe Zoran Dukiq, që në botën e kitarës konsiderohet si influenca më e madhe për kitarën e muzikës klasike. Ne e kemi një mikro- botë të vogël në të cilën jetojmë, dhe në të cilën Zoran Dukiq është vërtetë njëri ndër më të rëndësishmit. Ai më ka influencuar mua prej moshës 15-16 vjeçare duke i dëgjuar incizimet e tij dhe gjithmonë jam orientuar kah vlerat e tij estetike. Tash po më vjen shumë mirë që në vendlindjen time, në Prishtinë erdha me Zoran Dukiqin kjo është në një mënyrë si ëndërr, si “ Dream Come True”. Jam shumë i emocionuar sonte që para publikut të Prishtinës e patëm këtë program”, është shprehur Çeku.

Ndërsa Drejtoresha Artistike e Festivalit, Lejla Pula, koncertin e natës së kaluar e quajti perfomancë super-perfekte, e cila para publikut solli art kulmor.

“Ky auditorium i Amfiteatrit të Bibliotekës Univeritare vërtetë ishte përplotë me njerëz dhe dashamirë të muzikës, me studentë dhe njerëz që me shumë ëndje e dëgjojnë muzikën klasike. Ishte një performancë super- perfekte, e jashtëzakonshme. Jam shumë falënderuese për katër artistët kitaristë që kanë sjellë një art kulmor në skenën tonë”, ka thënë drejtoresha.

Drejtoresha Lejla Pula për realizimn e këtij koncerti i cili ishte menduar të realizohej disa vite më parë, falënderoi edhe ambasadën Kroate në Kosovë, duke potencuar se bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në  të ardhmen.

“Unë jam shumë e lumtur që kemi arritur ta sjellim këtë bashkëpunim me Petritin të cilin e kemi planifikuar me vite me radhë. Ky synim u realizua në edicionin e 14 të “Chopin…” në mënyrë shumë të bukur me këtë kuartet kitarësh në kuadër të Javës së Kulturës Korate në Kosovë. Jam shumë e lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me Ambasadën e Kroacisë e cila edhe në të kaluarën ka qenë shumë e interesuar t’i përkrahë dhe t’i përcjellë artistët që nga Kroacia vijnë këtu. Kjo traditë do të vazhdojë”, ka thënë Lejla Pula.

Edhe Drejtoresha Organizative e Festivalit, Besa Luzha, tha se ndihej e lumtur për organizimin e një koncerti të tillë në skenën e Chopin, edhe përkundër kushteve jo shumë të përshtatshme.

“Ishte një koncert shumë i bukur shumë interesant, një ngjyrë tepër e ndryshme nga koncertet tona pianistike ku ka forcë më të madhe. Ky ishte një koncert me një muzikë shumë më intime, më të afërt, një udhëtim shumë i bukur nëpër periudha ta ndryshme stilistike përmes tingujve të kitarës dhe atë në formacion me katër instrumentitstë të shkëlqyer, këtu duke përfshirë edhe Petrit Çekun. Akustika këtu në këtë sallë e ofroi mundësinë që të dëgjojmë edhe Pianisimot më të vogla, dhe vërtetë ishte shumë shumë bukur, përkundër që kishim shumë njerëz dhe kushtet nuk ishin aq të duhura për shkak të kapacitetit të kufizuar. Por shpresoj që ata që kanë arritur të jenë në sallë janë ndarë me përshtypjet më të bukura” ka thënë drejtoresha Luzha.

Më tej, Drejtoresha Luzha kitaristin Çeku e quajti artist shumë dimensional, interpretimi i të cilit solli një art të paparë deri tash në skenën vendore.

“Petriti është posaçërisht një artist shumëdimensional. Ai edhe i prezantoi veprat kështu duke e informuar publikun për të gjitha veprat që i interpretuan. Ishte shumë i afërt dhe publiku i Kosovës e ndjeu si birin e saj. Por edhe frymëzimi i ansamblit, muzikimi i përbashkët shihej që është diçka shumë e kuruar, shumë e natyrshme sepse interpretojnë së bashku dhe krijojnë një harmoni të paparë”, ka përfunduar drejtoresha Luzha.

Koncerti i radhës i “Chopin…” mbahet me pianisten Sofya Gulyak më 31 maj, në ora 20:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme