Petrit Çeku sjell madhështinë e kryeveprave të Bach dhe Barrios në përmbylljen e ‘Prishtina Guitar Week’

28 Tetor, 2023 - 10:55 pm

Flonja Haxhaj

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me pasion për muzikën klasike, Kisha Shën Ndou në Prishtinë u bë dëshmitare e një performance të  jashtëzakonshme të kitaristit të shquar Petrit Çeku. Në koncertin i cili edhe përmbylli festivalin ‘Prishtina Guitar Week’, Çeku mbushi shpirtin e publikut të Prishtinës me një interpretim të rrallë të përcjellur me virtuozitetin dhe mjeshtërinë e tij, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë i ‘Prishtina Guitar Week’ u përmbyll me këtë koncert në të cilin, Çeku me kitarën e tij, dërgoi publikun në një udhëtim magjepsës nëpër literaturën e kryeveprave të kompozitorëve të shquar botërorë si Johann Sebastian Bach dhe Agustin Barrios.

Me një teknikë të përsosur, Çeku shpalosi një larmi emocionesh nga vargjet e mahnitshme të Bach teksa interpretoi sonatën No.2 në A Minor. E gjithçka mori një pamje më romantike e melankolike kur solli valsat e Barrios, të përshtatur për kitarë.

Kjo natë, e cila solli një koncert të mrekullueshëm të përcjellur me tingujt e bukur të kitarës së Petrit Çekut, u shoqërua me duartrokitje disa minutëshe nga publiku, si një mirënjohje për momentet që artisti dhuroi për më shumë se një orë performancë.

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili përveç që vlerësoi lart koncertin e Petrit Çekut, tha se festivalet e tilla krijojnë mundësi shtesë për kitaristët e rinj dhe për talentët e Kosovës.

“Fillimisht, si gjithmonë është kënaqësi e veçantë me e dëgju dhe me u mrekullu me tingullin e intepretimit të Petrit Çekut, së dyti, në kuadër të një festivali që ka nisë dhe ka nisë mirë, sipas gjykimit tim, sepse është konceptu mirë, nuk është vetëm koncerte të kitaristëve të njohur në nivel botëror, por edhe mundësi për kitaristët e rinj që të punojnë me këta emra të mëdhenj, me këta mjeshtra të kitarës dhe të njëjtën kohë të ketë mundësi të zhvillojnë një lloj gare ndërmjet tyre”,  tha ministri Çeku për KultPlus.

Një ndër organizatorët e këtij festivali, Florin Fanaj, pas përmbylljes së ‘Prishtina Guitar Ëeek’, u shpreh se ndonëse ky ishte vetëm edicioni i parë, çdo gjë ka shkuar ashtu siç edhe e kanë planifikuar.

“Jemi shumë të lumtur për këtë festival sepse ka shkuar ashtu siç edhe  e kemi pritur. Festivali është hapur me garat e nxënësve dhe studentëve. Dita e parë po ashtu ka përfshirë edhe një koncert që ka qenë i rezeruar për të gjithë ata fitues, pastaj të cilët fituan në gara, ata më pas morën pjesë në masterkurse me kitaristët, të cilët edhe kanë koncertu të mërkurën, të enjten edhe të premten. Koncerti i sotëm, nëse flas më shumë për natën e përmbylljes, Petriti ia dhuroi Prishtinës dhe gjithë publikut këtu një koncert fantastik, ashtu siç ai di dhe na mahniti me programin me pjesën e parë të Bachut dhe pjesën e dytë të kompozitorit paraguajan, Agustin Barrios, edhe siç po shihet edhe prej publikut të gjithë janë të kënaqur edhe jemi të lumtur për këtë”, deklaroi Fanaj për KultPlus.

Pas koncertit të mbrëmshëm, për KultPlus foli edhe profesoresha e pianos në Universitetin e Prishtinës, Lejla Pula, e cila tha se Petrit Çeku dhuroi momente madhështore teksa ka interpretuar kryevepra të literaturës botërore për kitarë.

“Jemi pasuruar sonte me përshtypje e impresione të jashtëzakonshme artistike  sepse Petriti ka sjellur një imazh tingullor engjëllor, mund të shprehem lirisht ashtu sepse vërtet edhe me këtë ambient është përshtatur edhe tingulli  i kitarës dhe çdo gjë ishte në përshtatje. Edhe vërtet kemi shijuar momente madhështore të muzikës artistike klasike, të muzikës së Bachut dhe të Barrios dhe ka sjellur perlat nga literatura e kitarës. të muzikës së bahut edhe.Varjosë, edhe vërtet perlat nga literatura e gitarës”, u shpreh Pula, e cila më tutje tha se ndjehet e lumtur që skena e Prishtinës po pasurohet me festivale të tilla.

Ndërkaq, ‘Prishtina Guitar Week’, shënoi këtë vit edicionin e tij të parë, ku për një javë rresht, i dhuroi publikut koncerte, gara dhe punëtori për artistët e rinj./KultPlus.com

Të ngjajshme