10 Maj, 2022 - 9:30 am
Era Berisha
Edicionin e tij të 12-të, festivali ‘Chopin Piano Fest’ e nisi mbrëmë me interpretimin e pianistit nga Spanja, Martín García García, i cili nën tingujt romantik solli vepra që lanë gjurmë të dukshme në tërë historinë e rrugëtimit të festivalit. Me vepra të cilat në vete përmbanin vija melodike aq të pasura, gjallëria dhe shpejtësia e pakrahasueshme e pianistit do të ishin ato rrënjët e dalluara të talentit të tij që për tërë natën sollën tinguj të cilat lulëzonin midis dinamikës dhe ndjeshmërisë, me ç’rast emocioni që portretizohej pa shkujdesje në çdo moment, arriti të vulosë edhe kulminacionin e secilës kryevepër, shkruan KultPlus.
Për dallim nga edicioni i kaluar, Amfiteatri i ri i Bibliotekës Universitare ishte i mbushur cak më cak. Fytyra të shumta të të rinjve, atyre në moshë si dhe të fëmijëve po përshkonin tërë sallën e cila dukshëm kishte përdorur tërë hapësirën e mundshme. Me karrige të shtuara në numër, dy reflektorë në ngjyrë vjollcë që kanë qenë dëshmitar për punën e palodhshme të pianistit, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej, dritës natyrale që vinte pingul nga qielli mbi kokën e të pranishmëve si dhe perdet në ngjyrë të zezë që portretizonin dizajnin e këtij edicioni të festivalit, kanë krijuar një atmosferë të ngrohtë që po rriste emancipimin e publikut i cili me padurim po priste të përjetonte një natë të mbushur me plot veçanti.
Hapjen e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike Lelja Pula e cila fillimisht tregoi për bashkëpunimin e parë me Zyrën e Bashkimit Evropian, pastaj shpalosi edhe një nga risitë më të veçanta të këtij edicioni.
“Sivjet e fillojmë festivalin me një ditë shumë të veçantë për të gjithë ne, në ditën e Evropës duke shënuar edhe për herën e parë bashkëpunimin tonë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ndihemi të nderuar me ardhjen e pianistit virtuoz nga Spanja, Martín García García i cili është një nga fituesit e çmimit të garave të Chopeni-t në Varshavë në vitin 2021, një nga konkurset më të mëdha e më të rëndësishmet në botë. Njëkohësisht jemi të privilegjuar të jemi pjesë e projektit SYNERGY së bashku me pesë festivalet më të rëndësishme nga rajoni. Qëllimi kryesor i festivalit është prezantimi dhe kultivimi i vlerave të mirëfillta artistike muzikore por edhe vlerave të muzikës së vendit tonë”, thotë Pula.
Sipas saj, i gjithë programi koncertal që është përgatitur për publikun, ka për synim të paraqes çaste të paharruara të përjetimit artistik, ku përgjatë një muaji përmes 14 koncerteve shpalosen programet e larmishme të nivelit më të lartë artistik.
Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha foli rreth kontributit që ky festival ka sjell përgjatë 12 viteve në një sallë e cila nuk është e duhur për këto koncerte.
“Rrugëtimi i gjatë prej 12 viteve ka qenë i mundur vetëm falë përkrahjes së shumë institucioneve dhe siç e dimë ne ende nuk e kemi një sallë koncertale. Por për këto vitet e fundit, për fat të mirë, kemi gjetur hapësirën që na ka ofruar Universiteti i Prishtinës, në një sallë e cila nuk është për koncerte por ne e kemi shndërruar në një të tillë. Përpos punës tonë akademike, mundohemi që edhe me këtë festival të ofrojmë një kontribut gjithë shoqërisë tonë dhe komunitetit artistik”, thotë Luzha.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se ky festival është një dritare lidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare.
“Ky festival këtë vit po organizohet për të dymbëdhjetën herë dhe mbajtja në jetë me sukses për një periudhë kaq të gjatë të kësaj ngjarjeje kulturore në këtë mënyrë dhe shndërrimi në një ngjarje tradicionale, paraqet në vetvete sukses të veçantë. Ky festival tradicionalisht ka sjell në vendin tonë, artistë të mirënjohur ndërkombëtarë nga mbarë bota, duke shërbyer kështu si një dritare ndërlidhëse ndërmjet artit kosovar dhe veprave kulmore artistike ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Chopin Piano Fest ka mundësuar ndër vite që përveç prezantimit të veprave nga artistë ndërkombëtarë, përpara artdashësve të Kosovës, të ofrojë mundësi të përkryer edhe për artistë të rinj nga Kosova në mënyrë që ata të prezantohen me kontributet e tyre artistike para emrave të njohur ndërkombëtarë”, thotë Sahiti.
Sipas tij, për UP-në, ngjarjet si kjo sjellin freski në aktivitete të zakonshme akademike dhe po ashtu ndihmojnë në pasurimin e jetës kulturore për studentët dhe mësimdhënësit.
Tutje, ambasadori Tomáš Szunyog ka uruar ditën e Evropës dhe në të njëjtën kohë ka përgëzuar të pranishmit për këtë aktivitet.
“Është kënaqësi dhe privilegj që jam këtu në këtë mbrëmje për hapjen e këtij edicioni në Prishtinë. Sot ne festojmë Ditën e Evropës dhe jam shumë mirënjohës që ju na leni të shijojmë muzikën tuaj në këtë rast të veçantë. Jam i kënaqur që shoh një kulturë të tillë shkëmbimi. Në fund të fundit, muzika dhe kultura na lidh të gjithëve dhe kjo mbrëmje nuk do të jetë ndryshe nga ajo”, thotë Szunyog.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e konsideroi këtë festival si njërin ndër më të rëndësishmit si dhe e cilësoi atë si një nga ngjarjet që ka kontribuar në futjen e Kosovës në hartën botërore.
“Besoj që nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar një ditë kaq të rëndësishme për shtetin tonë dhe për të treguar ambiciet tona evropiane sesa me një koncert pianistik, me rastin e hapjes ‘Chopin Piano Fest Prishtina’. Është një nga festivalet më të rëndësishme në vendin tonë dhe një nga ngjarjet që ka ndikuar e kontribuar që Kosova të futet në hartën jo vetëm evropiane por edhe botërore. Unë vetëm dua të shpreh mirënjohjen time të thellë personale dhe institucionale për profesoreshën Lejla, Besa dhe të tjerët. Andaj, do të doja të ju ftoja që me një duartrokitje ta shprehim mirënjohjen tonë për punën kolosale që kanë bërë sepse ky organizim nuk është më vetëm një festival por është një histori”, thotë Çeku.
Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për të sjellë në skenë fillimisht një vepër e cila vuri në shënjim solidarizimin me Ukrainën me një mesazh për paqe, dashuri dhe mirësi në mes njerëzish.
Martín García García, pianisti nga Spanja me veprat e kompozitorit të njohur J.S.Bach të titulluara “Prelude and Fugue g-mol BWW, Book II”, “Prelude and Fugue C-dur BWW, Book I” dhe “Prelude and Fugue D-dur BWW, Book I”, solli një fillim që lehtazi kaploi të pranishmit në befasi me përqendrimin preciz të tij. Skena u shndërrua në trupin e tij të dytë dhe hija e atij trupi krijoi një çati mbi të pranishmit të cilët ishin dëshmitarë për ritmin dinamik, kërcimet trupore të tij si dhe ato të kokës me ç’rast kaçurrelat e tij kërcenin në një hap me meloditë që pa ndalur krijuan një atmosferë magjike.
Lëvizjet e tij të gishtërinjve, pozicionimi i trupit herë afër çelësave bardh e zi e herë sa më larg tyre, fuqia ndëshkuese kundrejt çelësave dhe tasteve, vështrimet e tij drejt instrumentit gjigand para tij si dhe djersët që i rrëshqitnin nga vetullat, shpalosën efikasitetin e këtij pianisti i cili me talentin e tij mbrëmë e strehoi një numër të madh njerëzish, trupat e të cilëve ishin kthyer në statuja muzesh teksa sytë e tyre fluturonin në drejtim të skenës. Ndërsa veshët e të pranishmëve përjetonin melodi e tinguj që jehonin përbrenda shpirtit të njeriut, pianisti vazhdonte të interpretonte me një butësi e cila dallohej në fytyrën e tij.
Pianisti García García përgjatë dy orëve interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Johann Sebastian Bach, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një program i cili tregoi për nivelin e tij të lartë artistik. Herë në frymë romantike e herë në atë më të ashpër, në çdo moment, ai pushtoi vendin me lojën e tij pianistike. Vetëm një piano mjaftoi që shprehjet e tij të fytyrës të ndërronin nga sekonda në sekondë për të sjell kështu tinguj që hapnin krahët në drejtimin e publikut dhe vallëzonin me dashurinë që shihej në sytë e tyre për interpretimin e momentit. Ndërkaq, lidhja e veçantë e pianistit me pianon e zezë u vërejt edhe në komunikimin e tij artistik me të pranishmit të cilët kishin ngulitur vëmendjen e tyre drejt skenës. Performanca e tij plot fuqi ripushtonte vetveten në secilën herë që meloditë ndërronin kahje, tingujt rëndoheshin dhe zemrat fillonin të rrihnin më shpejt.
Madhështia unike e interpretimit pianistik, mjeshtëria e atij që e zoton skenën, ndërlidhja e një emocioni me tingullin, lëvizjet në kërcim me notën, pasioni i vizatuar në shprehjet e fytyrës, puna e palodhshme pa një partiturë para, lënia e shpirtit përballë botës melodike, ishin këto vetëm disa nga pjesët kyçe që publiku ka arritur të përjetojë. Njeriu i pranishëm tërhiqej vazhdimisht nëpër skutat magjike të lojës interpretuese të pianistit i cili mbrëmë i derdhi ato me një lehtësi të paparë.
Ndërkaq, ishin duartrokitjet e shumta e të panumërueshme, ato të cilat po ashtu u futën nëpër heshtjet e shumta në sallë. Në çdo mesin e një vepre, duartrokitjet pëlcitnin papritmas dhe ishin pikërisht heshtjet precize brenda veprës ato që u mbushën me falënderimet nga ana e publikut që i shpërfaqën në një mënyrë tejet të ëmbël. Si një pjesë e një enigme, edhe publiku u shndërrua në copëzën e fundit, për të kompletuar kështu një natë e cila përherë do të mbetet unike në llojin e vetë.
Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të tij, brohoritjet mbizotëruan vendin. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë dhe si një falënderim i mëtejshëm, ishte kthimi i pianistit për të dytën herë në sallë për të sjell edhe copëza tjera artistike.
Misteri i magjisë pianistike do të jetë ai që do e përndjek piansitin Martín García García nëpër çdo vend që ai shkel. Ndërsa, mrekullia që ai solli mbrëmë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’ do mbetet për ne një mister i paharrueshëm dhe gjurmët e tij do të mbesin brenda katër mureve të shpirtit artdashës.
Pianisti Martín García García për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Ndihem shumë mirë sepse nuk e prisja një reagim kaq pozitiv dhe ndjeva një pritje shumë të ngrohtë. Ata iu përgjigjën aq mirë gjithçkaje që i dhashë audiencës, kështu që jam shumë mirënjohës që më patën sonte këtu. Kosova është një vend shumë interesant në botë. Sa herë që vizitoj një vend të ri, më vijnë disa ide dhe këtë herë është shumë interesante, sepse ndihem sikur ky vend meriton shumë më tepër nga koha ime”, thotë García García.
Sipas tij, ai pranoi ofertën e drejtoreshës së festivalit për arsye se ndjeu një intuitë tejet të bukur.
Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përzgjedhjes së këtij artisti për këtë natë, për KultPlus foli drejtoresha artistike Lelja Pula.
“Unë këtë pianist e kam dëgjuar në muajin tetor kur isha prezente në një festival dhe ai ishte në raundin e tretë dhe në fund ai e fitoi praktikisht çmimin e dytë të atij festivali por për mua personalisht ai ishte më i miri dhe mua më pëlqej jashtëzakonisht shumë performanca e tij. Isha e mahnitur dhe e kontaktova menjëherë dhe ai pa asnjë hezitim e pa asnjë pyetje, me shumë dëshirë ka ardhur këtu”, thotë Pula.
Sipas saj, kjo sallë ndonëse nuk është më e duhura, së paku ka një akustikë të mirëfilltë që është shumë e rëndësishme për një koncert të tillë.
“Kemi 14 koncerte brenda kornizës një mujore, me programe të ndryshme dhe risinë me një mbrëmje të improvizimit ‘jazz’ me Arben Ramadanin dhe Arben Xhaferin, e kjo do të jetë padyshim shumë interesante. Pastaj do të kemi më shumë duo, trio, instrumente nga më të ndryshmet, pastaj një Kuintet nga Katanja. Besoj që shija e secilit do të ketë vend në këtë edicion”, përfundon ajo.
Gjithashtu, pianistja Alberta Troni për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth natës së parë në festivalin ‘Chopin Piano Fest’.
“Shpresoj që publiku është ndarë shumë i kënaqur pasi që pianisti është duartrokit shumë gjatë dhe është kthyer shumë gjatë duke u kthyer dy herë për të luajtur përsëri. Jemi shumë të gëzuar që filluam me një vullnet të bukur këtë edicion dhe faktikisht përzgjedhja e këtij pianisti ishte tejet e bukur, i cili ka fituar garën e Chopen-it në Varshavë. Relativisht i ri por ai është një pianist virtuoz që koncerton nëpër të gjitha vendet e botës. Ajo që më pëlqeu ishte që filluam me një pianist shumë të njohur dhe publiku ishte shumë i entuziazmuar”, thotë Troni.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 13 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 12 maj ku do të interpretojë Bernardo Brizani dhe Misbah Kacamaku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com