18 Prill, 2019 - 2:30 pm
Nata e tetë e festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”, priti mysafirin me përvojë dyzet vjeçare, pianistin Peter Donohoe nga Britania e Madhe, shkruan KultPlus.
Para një numri të madh artdashës, përvojën dyzet vjeçare me piano, britaniku Peter Donohoe e shfaqi para publikut prishtinas. Natën e mbrëmshme në Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare u luajtën vepra të mëdha, të cilat kanë kërkesa të vështira si teknike po ashtu edhe muzikore dhe se rrallë herë performohen.
Për tri orë rresht sa edhe zgjati koncerti, ai luajti në piano vepra të Schumann-it, W.A Mozart-it, vepra e Tchaikovsky-it e cila duhet cekur që u luajt për herë të parë në Kosovë, pastaj vepra e Scriabin-it dhe veprat e M. Mussorgsky-it.
Interpretimi i këtyre veprave erdhi shumë ngrohtë, plot emocion e ngjyrë tek publiku i cili e duartrokiti pianistin e njohur britanik.
Fituesi i çmimit në garat e Tchaikovskit, me prezencën e tij në festivalin Chopin, bëri që organizatorët të ndihen shumë të nderuar, kështu të paktën u shpreh drejtoresha e këtij festivali Lejla Haxhiu-Pula. Ajo tregoi që me Peter Donohoe ishte takuar për herë të parë në vitin 82 në Moskë. Ajo po ashtu shtoj që nuk ka besuar që një ditë ai do të vijë në Kosovë dhe do të performoj për publikun kosovarë sepse sipas saj ai i takon nivelit më të lartë botëror.
“Ne jemi shumë të nderuar, sepse ky është pianist i nivelit më të lartë botëror. Unë e kam dëgjuar Peter Donohoe me një raste në vitin ‘82 kur isha në Moskë për t’i përcjellur garat e Tchaikovskit dhe ai e ka fituar atje çmimin e parë. Unë kam pasur dëshirë që ai të vij edhe në skenën e Prishtinës, por nuk e kam besuar që një ditë do të vijë ky rast. Ky përpos që është pianist i mrekullueshëm është edhe personalitet jashtëzakonisht bujar dhe sot na premtoi që ai do të vijë kurdo që e ftojmë sepse ai u shpreh shumë i kënaqur për ngrohtësinë dhe mirëpritjen që i ka dhënë publiku”, tha Haxhiu-Pula për KultPlus.
E fjalë të mira si për publikun ashtu edhe për festivalin, pati edhe mysafiri Peter Donohoe, i cila tha që është shumë krenar që ka performuar në këtë festival dhe sipas tij publiku prishtinas ka një nivel të lartë përqendrimi.
“Nuk kam qenë më parë këtu, është hera ime e parë në këtë festival të mrekullueshëm. Jam shumë, shumë krenar që jam përfshirë në këtë festival, njerëzit këtu kanë vizion të mrekullueshëm, kanë energji shumë të madhe. Është një festival shumë i mirë, me një audiencë shumë të mirë, me një nivel të lartë përqendrimi, është një vend shumë i këndshëm”, tha Peter Donohoe.
Chopin Piani Fest vazhdon me koncertin e radhës ditën e premten duke filluar nga ora 20:00 në Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare ku do të përformojnë Flaka Goranci, mezosoprano, Arta Jashari, soprano, Armando Likaj, baritonë, si dhe Ardita Bufaj, me piano./ Gzim Mujaj / KultPlus.com