24 Prill, 2018 - 1:30 pm
Gili Hoxhaj
Chopin Piano Fest Prishtina ka nisur rrugëtimin e tij muzikor në fillim të këtij muaji, duke e bërë kështu Prishtinën një vend, ku dëgjuesit mund ta shohin më afër se kurrë lojën e pianisteve të njohur vendor e botëror.
Mbrëmja e kaluar dëshmoi fuqinë e këtij festivali për t’i sjellë Prishtinës një pianist më nivel të lartë artistik e interpretativ. Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ndriçimi i ambientit ishte i tillë që e gjithë vëmendja përqendrohej tek piano, përmes së cilës do të vinin tinguj që jo shumë shpesh interpretohen në Prishtinë. Pianisti nga Rusia, Vitaly Pisarenko vjen e ulet në ulësen pranë pianos që tash e sa net është bërë instrument përmes të cilit përçohen tinguj të veprave të njohura muzikore. Ky koncert që është edhe i parafundit, për nga rëndësia e emocioni ishte një nga koncertet më të mira që Chopin Piano Fest ka sjellë për trembëdhjetë net me radhë.
Drei Klavierstücke D. 946, ose “Tri pjesë për piano”, është një vepër të cilën Schubert e ka kompozuar në maj të vitit 1828, vetëm gjashtë muaj para vdekjes së tij të hershme. Këtë vepër me një mjeshtëri të rrallë artistike e solli pianisti rus, i cili krahas lëvizjeve të duarve, lëvizte dhe kokën në drejtim të pianos. Mes interpretimit ndonjëherë ndryshonte dhe pozicionin e këmbëve. E mes hapësirave të shkurtra, çdo tingull përmes lojës së tij kthehej edhe më i bukur. Jo dhe në pak raste dukej sikur duart e tij rrëshqisnin mbi tastet e pianos, duke lundruar nga një trajtë melodie në tjetrën. Më pas ai solli një vepër të kompozitorit rus Sergei Prokofiev “10 pieces op.12” , e cila dukej si një vepër e thellë që në çdo lëvizje krijonte një ndjesi. Pas një pushimi të shkurtër, ai do të mrekullonte publikun akoma dhe më shumë me Scherzos no.1 dhe no.2 të kompozitorit të njohur Frederic Chopin. Scherzo No. 1 ishte shkruar në vitin 1831 dhe 1832 d he konsiderohet si një nga veprat më të vështira të Chopini-it. Në lojën e kësaj vepre, përmes duarve të pianistit rus erdhi gjallëria, dramaticiteti dhe thellësia me të cilën karakterizohet vepra. Scherzo No. 2, ishte vepra tjetër të cilën Chopini e kishte shkruar në vitin 1837, e që përfshinte emocione të përziera mes butësisë e ashpërsisë, duke te dërguar nga një nivel i përjetimit në një nivel tjetër akoma më të thellë. Veprat e kompozitorit Franz Liszt përfunduan mbrëmjen e kaluar. “Ballade no.2” është një kompozim i pianos nga Franz Liszt, i shkruar në 1853 dhe “Hungarian Rhapsody no.10”, të cilat sjellin një lojë tejet intensive, tejet depërtuese që duket sikur çdo prekje e tasteve është përfaqësim i një mesazhi. Mes lëvizjeve të të dyja duarve, që ecin me shpejtësi në piano, ai vjen deri tek fundi i koncertit të mbrëmshëm, për t’u kthyer përsëri në skenë për të marr duartrokitje nga publiku që tashmë qëndronte në këmbë.
Pianisti nga Rusia, Vitaly Pisarenko është fitues i vendit të parë i Konkursit të 8-të Ndërkombëtar të Piano Franz Liszt në Utreht. Ai ka performuar në më shumë se 25 vende të botës, ndërsa në Prishtinë po vinte për të parën herë. Ai për KultPlus tha se e ka shijuar mjaft shumë ardhjen këtu. Meqë është një pianist virtuoz, eksperienca e tij shtrihet në shumë festivale të pianos por e veçanta e festivaleve të tilla është publiku, për të cilin tha se ishte mjaft i ngrohtë dhe kjo i ndihmoi mjaft shumë gjatë interpretimit.
“Është shumë kënaqësi të shohësh gjithë këta njerëz këtu dhe kjo është si një pritje e ngrohtë . Me anë të këtij programi jam përpjekur që t’i kombinoj stile të ndryshme, me anë të kësaj jam munduar edhe të sjellë kontraste të ndryshme përmes stileve”, tregoi pianisti Pisarenko.
Pianistja dhe profesoresha Valbona Pula- Petrovci tash e disa net po e përcjell për së afërmi këtë festival, për të cilin tha se ka qenë një pasurim i jashtëzakonshëm i skenës kulturore dhe i një rëndësie të veçantë për studentët të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë instrumentistët të kalibrit, po ashtu edhe për auditorin për të cilin tha se është në gjendje të përjetoi dhe të vlerësoi të gjithë lojën e ekzekutimit pianistik. Tutje ajo shtoi se është pasuri për këtë auditor që ka pasur mundësi të dëgjoi një interpretim të tillë.
“Është një mrekulli e vërtetë, aq më parë për faktin se publiku kosovar është kryesisht i ri, për dallim nga ai në perëndim që i përket një moshe më të vjetër. Pianisti i sotëm ishte i mrekullueshëm, programi ishte me kërkesa të jashtëzakonshme teknike, interpretative, artistike të cilat pianisti i ka realizuar mrekullisht mirë, ai interpretoi dy vepra jashtëzakonisht të vështira të Franzs List që kërkojnë një interpretim dhe nivel të lart pianistik”, u shpreh Pula- Petrovci për KultPlus.
Chopin Piano Fest sonte do të sjellë mbrëmjen e fundit koncertale, të cilën do ta kurorëzoi në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, e cila do të përcillet nga loja e pianistit të njohur italian Giovanni Belluci dhe nën dirigjimin e dirigjentit gjerman Boian Videnoff. Koncerti do të mbahet tek Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë./ KultPlus.com