8 Nëntor, 2017 - 12:03 pm
Tri koncerte në Maltë, një në Austri, një në Zvicër dhe i fundit në Gjermani, tashmë janë në agjendën e pianistes kosovare Ardita Statovci, e cila do të paraqitet prej 17 nëntorit deri më 5 dhjetor të këtij viti, shkruan KultPlus.
Ardita Statovci ka shpjeguar për KultPlus edhe për veprat me të cilat do të prezantohet në këto koncerte, dhe sipas saj, në Maltë do të paraqitet me veprat e Satie, Steve Reich, John Cage, sipas të cilës, në këto koncerte ajo do të performojë edhe solo, por edhe me kolegë maltezë. Ndërsa, sa i përket koncerteve në Gjermani, Austri e Zvicër ajo ka thënë se do të prezantohet me veprat e Beethoven, Gershëin, Müllenbach, Wagner-Debussy dhe Saint-Saens.
“Ndjehem e nderuar të jem e ftuar nga festivale e teatro të njohura. Koncerti që di të mbahet në Gjermani, është vendosë në Teatrin e Kempten, i cili është edhe monument i mbrojtur kulturor dhe në histori përmendet që nga viti 1392”, ka shpjeguar Statovci.
Ajo poashtu ka potencuar edhe paraqitjen e saj në Kitzbuhel të Austrisë, e cila ka thënë se në Festivalin “Tiroler Festspiele”, ftohen artistë të përzgjedhur nga qytete të ndryshme.
“Turnetë janë intensiv, kërkojnë shumë disiplinë, pasion dhe kondicion fizik e mendor, sidomos kur repertori dallon nga vendi në vend, siç do të jetë për mua tani. Kënaqësi e madhe është veçantia e publikut, pasi në çdo vend, energjia e përcjellë nga audienca e bën secilën eksperiencë dhe secilin qytet unik”, ka thënë Statovci për fund./KultPlus.com