8 Korrik, 2024 - 8:04 pm
Pianistja e njohur, Lule Elezi, ka njoftuar se së shpejti do të prezantohet me dy koncerte recitale në shtetin e Polonisë, shkruan KultPlus.
Pianistja Elezi do të performojë në edicionin jubilar të XX-të, të Festivalit “In Chopin’s Land” në Varshavë, si dhe në qytetin Plock të Polonisë, ku edhe do të bëhet promovimi i albumit të saj me vepra nga L.v. Beethoven dhe F. Chopin.
Pianistja Elezi përmes një shkrimi në facebook ka thënë se ndihet e privilegjuar që po me pjesë në natën hapëse Festivalit të njohur “In Chopin’s Land”.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të pianistes Elezi në Facebook:
Sërish me dy koncerte recitale në Poloni
Ndjehem jashtëzakonisht e privilegjuar që nesër mbrëma me koncertin tim recital do të hapet Festivali XX jubilar “ In Chopin’s Land” ( Në Tokën e Shopenit), ku do të mbahet në Qendrën e Kulturës në Izabelin të Varshavës.
Festivali organizohet nga Shoqata Frédéric Chopin në Varshavë, Shoqata Frédéric Chopin në Sanniki dhe Qendra e Kulturës në Izabelin.
Jam mirënjohëse për ftesën që më është bërë nga organizatorët e këtij Festivali muzikor, të cilët më përzgjedhën që të performojë në natën e parë të hapjes së Festivalit” In Chopin’s Land”.
Gjatë kësaj jave do të mbaj koncert recital edhe në qytetin Plock të Polonisë, ku edhe do të bëhet promovimi i albumit tim me vepra nga L.v. Beethoven dhe F. Chopin, i incizuar kohë më parë në Shtëpinë e Mozartit në Vjenë.
Koncerti dhe promovimi i albumit tim organizohet nga Shoqata Frédéric Chopin në Sanniki dhe Muzeu Kombëtar në Plock të Polonisë./ KultPlus.com