Pianistja Maria Ludwika Gabrys në maj hap edicionin jubilar të Chopin Piano Fest

23 Prill, 2025 - 10:20 am

Ceremonia e hapjes së edicionit jubilar të 15-të të Chopin Piano Fest do të filloj me pianisten Maria Ludwika Gabrys- Heyke, profesoreshë dhe Shefe e Departamentit të Muzikës së Vjetër dhe e Çembalos në Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin” në Varshavë.

Gabryś-Heyke është fituese e shumë Çmimeve të Para, përfshirë Konkursin Ndërkombëtar “Ludwig van Beethoven” në Hradec nad Moravicí (Republika Çeke), “Edwin Fischer-Wettbewerb” në Lucernë (Zvicër) dhe “Chopin Golden Ring” në Ptuj, Slloveni.

Festivali më i madh i muzikës klasike “Chopin” vjen në bashkëpunim me Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë, për nder të Ditës së Evropës.

“Nga 8 Maji deri më 9 Qershor 2025, festojmë 15 vite muzikë me 15 koncerte ku perfomojnë artistë të njohur, ansamble kamertale, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me soliste dhe koncertet e dedikuara per talentët e rinj premtues.

Bashkohuni me ne për ta festuar së bashku këtë edicion jubilar në Amfiteatrin e Ri, Biblioteka Qendrore Universitare Prishtinë!”, thuhet në njoftim.

Ceremonia e hapjes së Chopin Piano Fest nis më 8 Maj në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme