23 Janar, 2024 - 12:10 pm
Një tjetër koncert i suksesshëm është shënuar nga pianistja Melisa Ibrahimi i mbajtur në teatrin “Teatro di Marcello” në Romë, Itali. Ky koncert u organizua në kuadër të Festivalit “Concerti del Tempietto”, në një nga teatrot më të lashtë dhe me histori të pasur shekullore në kryeqytetin italian, shkruan KultPlus.
Në këtë eveniment, Melisa Ibrahimi ka shfaqur një repertor të pasur me vepra të kompozitorëve të njohur si Domenico Scarlatti dhe Franz Liszt.
Koncerti ka zgjatur 60 minuta, në të cilat Melisa Ibrahimi ka shfaqur një aftësi dhe pasion të rrallë në interpretimin e mjeshtërisë së muzikës klasike. Audienca, e përbërë kryesisht nga profesionistë të pianos dhe artdashës të muzikës klasike, u mbush me emocione dhe admirim për paraqitjen e shkëlqyer të artistes kosovare.
Pjesë e publikut ishte edhe pianistja dhe profesoresha e njohur italiane Silvia Rinaldi, anëtare e jurisë së garës Chopin në Romë, e cila ka qenë pjesë e këtij evenimenti për 32 edicionet e fundit.
Duartrokitjet dhe ovacionet e përsëritura tregonin jo vetëm respektin, por edhe adhurimin e të pranishmëve për mjeshtërinë dhe talentin e pianistes shqiptare e cila është shprehur jashtëzakonisht e lumtur për këtë fakt.
“Mikpritje dhe audiencë e mahnitshme, pata momente të pabesueshme kur ata iu përgjigjën performancës sime me duartrokitje të gjata, duke më rikthyer në skenë më shumë se 7 herë! Gjithashtu një teatër shumë i bukur me akustikë të mrekullueshme”, është shprehur Melisa e cila nuk ka harruar të falënderoj edhe profesoreshën e saj Alberta Troni, e cila është mbështetja e saj më e madhe gjatë karrierës së saj. / KultPlus.com