16 Shtator, 2021 - 12:17 am
Mbrëmja e tretë e edicionit të 20-të të festivalit ‘ReMusica’ ishte e rezervuar për pianisten nga Shqipëria, Merita Rexha-Tërshana. Me titullin ‘Frymë Shqiptare’, Rexha-Tërshana, interpretoi magjishëm në piano, këngë nga autorë të rinj e të vjetër shqiptarë duke filluar nga Tonin Harapi, Cesk Zadeja, Rafet Rudi, Aleksandër Peçi, Fahri Beqiri dhe Ersan Januzi, shkruan KultPlus.
Për t’iu përshtatur edhe më shumë natyrës së këngëve që u interpretuan, pianistja Rexha-Tërshana kishte veshur xhubletën shqiptare, që ia shtoi edhe më shumë veçantinë kësaj mbrëmjeje duke i realizuar në perfeksion veprat e kompozitorëve të njohur shqiptarë.
“Kam zgjedhur kompozitorë që kanë ndikuar shumë në formimin tim pianistik dhe janë ndër veprat më të bukura duke filluar nga kryemjeshtri shqiptar, Cesk Zadeja duke vashduar më pas, Tonin Harapi, Kozma Lara, Feim Ibrahimi, Aleksandër Peçi, Rafet Rudi dhe për të nderuar kujtimin e Fahri Beqirit që humbi jetën këtë vit” – u shpreh pianistja pak para fillimit të koncertit.
E veçanta e kësaj mbrëmje ishte interpretimi i këngës premierë “Motive Shqiptare’ të kompozitorit të ri, Ersan Januzi, e që përmbylli mbrëmjen e koncertit ‘Frymë Shqiptare’.
Ndonëse edhe në këtë koncert mungoi ngrohtësia që sjell vetëm prania e publikut në sallë, pianistja arriti që përmes këngëve shqiptare të sjellë atë ngrohtësi tek të gjithë ata që e përcollën virtualisht.
Ndërkaq, në natën e parë të edicionit të 20-të të festivait ‘ReMusica’, publiku pati rastin të dëgjojë koncertin recital të sopranos shqiptare, Elbenita Kajtazi kurse në ditët në vazhdim do të performojnë edhe disa nga artistët tjerë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë si Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë./KultPlus.com