23 Tetor, 2024 - 1:30 pm
Pierre Sabaté dhe M’hamed El Menjra, protagonistë të ‘Pasión y Tango’, së shpejti do ta pushtojnë Prishtinën me muzikën e tyre në kuadër të Festivalit Operisitik ‘Rame Lahaj’, përcjell KultPlus.
Pierre Sabaté, i njohur për stilin unik dhe performacat e tij të jashtëzakonshme në interpretimin e veçantë të muzikës tango, vjen në Prishtinë për të sjellë një mbrëmje magjike, të mbushur me pasion dhe emocion. Sabaté ka një karrierë të gjatë e është i njohur për performancat e tij pasionante dhe lidhjen e thellë emocionale me muzikën.
Në Prishtinë, publiku do të ketë mundësinë për të dëgjuar këngët më të njohura dhe pjesë të tjera të repertorit të përzgjedhur me shumë kujdes, që do të interpretohen me zërin e ngrohtë, pasionin dhe mjeshtërinë që e karakterizojnë Pierre Sabaté.
Në skenë do të ngjitet edhe M’hamed El Menjra, kitaristi virtuoz, i cili me tingujt e tij të thellë do të nxjerrë në pah bukurinë e çdo note, duke shtuar emocion dhe intensitet të veçantë në çdo pjesë. I lindur dhe rritur në Marok, ai ka një ndjeshmëri të thellë për muzikën tradicionale marokene dhe atë mesdhetare. Karriera e tij është e mbushur me bashkëpunime me artistë të njohur ndërkombëtarë, duke përfshirë projekte që përqendrohen në ndërthurjen e kulturave dhe një game të gjerë stilesh muzikore, duke përfshirë jazz-in, tangon dhe muzikën klasike.
Më 2 nëntor 2024, në Stepia D’arra, nga ora 20:00, mund ta shijoni magjinë e dy artistëve në skenë, protagonistë të ‘Pasión y Tango’./ KultPlus.com