27 Mars, 2023 - 4:30 pm
Pjetër Gaci, kompozitori, violinisti dhe pedagogu i muzikës klasike, sot do të festonte 92 vjetorin e lindjes, përcjell KultPlus.
Pjetër Gaci lindi në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës, më 27 mars të vitit 1931. Ai ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”.
Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u për-kujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).
Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, “Për ty Atdhe”.
Në vitin 1989, Pjetër Gacit iu akordua titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com