30 Mars, 2020 - 1:43 pm
Legjenda e Operës, Placido Domingo, është hospitalizuar në Acapulco të Meksikës si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga koronavirusi. Kështu kanë bërë të ditur zëdhënësit e tenorit.
“Ai është më mirë dhe po i përgjigjet me sukses trajtimit mjekësor,” ka deklaruar zëdhënësi i Domingos për CNN-in.
Javën e kaluar, tenori i famshëm botëror përmes Facebookut e bëri të ditur lajmin se është diagnostikuar me COVID-19. Ai u kërkoi fansave të tij t’i lajnë duart shpesh dhe t’i ndjekin më kujdes këshillat e mjekëve dhe rregullat e qeverisë, transmeton Koha.
“Së bashku ne mund ta luftojmë këtë virus dhe ta ndalojmë krizën aktuale mbarëbotërore. Kështu, shpresojmë që shumë shpejt do t’i kthehemi jetës sonë normale,” kishte shkruar Domingo.
Tenori spanjoll 79-vjeçar, vitin e kaluar hoqi dorë nga pozita e drejtorit gjeneral të Shtëpisë së Operës në Los Angeles, pasi ishte akuzuar nga dhjetëra femra për ngacmim seksual.
Derisa, Domingo i ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, Shtëpia e Operës në L.A. e filloi një hetim të pavarur rreth këtij rasti, dhe besohet se akuzat e më shumë se 10 femrave ndaj tenorit po dalin të jenë të vërteta.
Placido Domingo i bashkohet listës së të famshmëve të cilët kanë rezultuar pozitiv me koronavirus të tillë si: aktorët Idris Elba, Tom Hanks dhe bashkëshortja e tij Rita Wilson, Olga Kurylenko, kantautori John Prine, Kevin Durant dhe Daniel Dae Kim. / KultPlus.com