27 Korrik, 2018 - 11:04 pm
Sopranot kosovare, Marigona Qerkezi dhe Elbenita Kajtazi të cilat po vazhdojnë suksesshëm të jenë pjesë e skenave operistike botërore, së fundmi janë bërë pjesë në njërën ndër garat më prestigjioze siç është ajo e konkursit të famshëm operistik “Operalia”, shkruan KultPlus.
Qerkezi dhe Kajtazi janë zgjedhur në mesin e 40 artistëve që do të konkurrojnë në këtë konkurs për çmimin “Operalia”.
Tashmë kanë mbetur vetëm edhe një muaj deri në finalen e kësaj gare.
Vetë Placido Domingo ka njoftuar përmes rrjetet sociale rreth datave dhe vendit se ku do të mbahet kjo garë si dhe ka zbuluar posterin e Operalia 2018.
Operalia 2018 e Placido Domingo do të zhvillohet në Teatro Nacional de São Carlos në Lisbonë, Portugali nga 27 gusht deri më 2 shtator.
Pjesë e këtij konkursi në vitin 2016-të ishte edhe tenori kosovar Ramë Lahaj, ku kishte fituar vendin e tretë, ndërkaq Elbenita dhe Marigona, do të performojnë në “Teatro Nacional de Sao Carlos” në Lisbonë të Portugalisë./ KultPlus.com