1 Korrik, 2021 - 10:56 pm
“Pranverë ’72” quhej grupi i disa gjimnazistëve shkodran i cili performonte muzikë rock ‘n’ roll.
Asokohe do të ishte një lajm sensacional. Tre djem dhe dy vajza formuan në Shkodër kompleksin e parë muzikor të qytetit, “Pranverë 72”. Muzikë argëtuese, shqiptare, me këngët e Bik Ndojës deri tek ato të famshmet angleze, “Chirpy Chirpy Cheep Cheeep” të “Midle of the road”.
Ata që kanë jetuar ato vite i kujtojnë edhe sot solistet bukuroshe e të talentuara Viola Duka e Klaudia Shllaku, e bashkë me to Çesk Marashi vokal-violinë, Albert Naraci vokal-kitarë e Nikolin Kurti vokal-kitarë. Të gjithë instrumentistë profesionistë, ndonëse në moshë të re. “Pranverë ‘72″ ishte një dritare në Perëndim, i shumëpritur nga shkodranët, aq sa biletat për koncertet e tyre ishin gati të pamundura për t’u gjetur.
Grupi u bë ndër më të dëgjuarit në Radio Tirana, madje tentuan të marrin pjesë edhe në Festivalin e 11-të, por nuk u pranuan. Të njëjtin fat pati edhe turneu i tyre i programuar nëpër Shqipëri. Por, një urdhër nga “lart” do ta anulonte turneun. Më pas, shfaqjet do të bëheshin sporadike, këngët censuroheshin, deri në shpërndarjen e grupit, i cili do të ribashkohej pas viteve ‘90. /voal.ch./ KultPlus.com