Prenk Jakova, viktimë e “Revolucionit kultural”

25 Shkurt, 2020 - 11:30 pm

Nga: Fritz Radovani

Kam lexue disa artikuj gjysmakë të shkruem nga muzikantë bashkohës të ma të madhit kompozitor të gjysës së dytë të shek.XX në Shqipni, të viktimës së “Revolucionit Kultural” të vitit 1967, Prenkë Jakova, mbas një viti që Ai vuni në skenë Operen “Skenderbeu” me tekst nga Llazar Siliqi, në Teatrin Operas në Tiranë, në vitin 1968.

Populli i Shkodres dhe mbarë Shqipnia krenohej me Prenkë Jakoven, por kur Ai në 500 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i pat dhurue Shqiptarëve një veper aq dinjitoze sa Opera per Até Hero, Ai u ba një mit i vertetë dhe i pakrahasueshem qyshë se ishte i gjallë e vazhdonte me ecë me çanten e vet të punës të mbushun me dru në kohë dimni per me shkue në dhomen e ftohët të Tijen, në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, ku drita e asaj dhomë fikej e fundit… Një Burrë modest, trim dhe besimtarë katolik i vertetë, që porsa hapte sytë në mengjez mendonte kujt me i ba sot një të mirë… që per fat të keq asnjeni nga “ata” që ka zbritë nga makinat e rekrutimit kur do të niseshin me shkue me krye sherbimin ushtarak nuk e shkruejnë një rresht per Té! Nuk janë kenë aq pak sa mos me u perfillë fare një “nder” kaq i madh që u ka ba Prenka “atyne” kur dihen mirë edhe rrethanat se çka mund të sillnin ata vite! E pra, perveç vetë Prenkës, asnjeni nuk ishte i “pazevendsueshëm” në orkestren e atij institucioni…

Shkova në Tiranë me e pa Operen e “Skenderbeut” me daten …

E takova Prenkën para se me hy, i shterngova doren dhe i mora edhe autografin!

……

Ishte ditë e hane kur porsa bleva gazeten “Drita” në librari dhe lexova pak rreshta rrugës të një artikulli që shkruente kompozitori Çesk Zadeja per Operen “Skenderbeu”, pak i “habitun” kishe mërrijtë tek hymja para Kafes Madhe, ku një dorë Burri më kapi përkrahu… dhe gati si me më marrë zharg… më tha: “Lenè, se tash e lexon në shtëpi por eja të pijmë një kafe!” Ishte dora e Prenkë Jakovës… që më duket se më shterngon edhe sot! Hymë mbrendë, më prini nga krahu i djathtë tek tavolina e fundit. Ai u ulë me shpinë nga dera ndersa unë perballë Tij. Unë fillova me i tregue knaqsinë e madhe që kishe perjetue në Opera… Ai më nderpreu dhe më tregoi se “disa” kompozitorë kishin kerkue para shfaqjes shkurtimin e saj mbasi tri orë e 15 minuta asht e gjatë… dhe do të “merziten” shikuesit … Ky u ishte pergjegjë: “Çudi si mund të merziten Shqiptarët tue ndigjue tri orë e 15 minuta muzikë për Heroin tonë Kombtar, kur spanjolët rrinë mbi 8 orë tue ndigjue muzikë per një kurvë Karmen!…” Kujtoj si tash lotët që më shkonin nga të qeshunit…

Por Prenka, vazhdoi…“Ke ç’ndienë në ketë botë, dje nade u nisa nga Tirana me ardhë me tren për Shkoder, kur tek Pallati i Kulturës, ndigjova një za – Prenkë, Prenkë, kur ktheva kokën ishte Çesk Zadeja, i tregova se po shkoj për Shkoder, por mu vue me ndejë për drekë tek ai, pa i vue rendësi çka po hamë, por ma shumë për qejfë, mandej kah mbasdrekja nisu për Shkoder, më tha dhe unë u ktheva me ia plotsue dëshirën…

Shkueme tek shtëpia e tij, vuni pak djathë e salam në tavolinë, mbushëm nga një gotë raki dhe fillueme bisedën sigurisht rreth Operës “Skenderbeu”, e cila i kishte pelqye fort… më tregoi disa momente dhe arie që i kishin lanë mbresa, sigurisht tue më përgzue për të ardhmen… Vuni në zjarr një tenxhere dhe ziu makarona, bani një pastashutë dhe hangra edhe drekën me te. Mbasdreke më çoi deri tek treni e u nisa per Shkoder. Sa mërrijta tek dera dhe trokita më doli para Deda i topitun dhe më pyeti: Prenkë a e ke pa sot gazetën Drita, as unë si ti, nuk e kishe pa. Ma solli dhe më tha: Shife çka ka shkrue Çesk Zadeja për ty!… Besoje, mbasi kam lexue pak rreshta e kam ndërpre se mu përzine shkronjat e nuk mujshe me lexue ma, i thashë Dedës me vazhdue dhe e ka lexue ai deri në fund… Shife si e mbyllë artikullin nga fundi, se me e lexue krejtë don kohë se janë dy faqe gazete që ka shkrue keq e ma keq ku nuk shkon ma, aqsa më këshillon që autori i muzikës asht mirë me e marrë edhe njëherë në dorë operën dhe me e riparue. …Beso, nuk kam fjetë asnjë minut tue pi cigare e kafe gjithë natën pa mbyllë sy një minut… Jo, nga teksti i gazetës sa nga “dreka” dhe tradhëtia e tij…” .

Asht me të vërtetë një tragjedi me mendue sesi Çesk Zadeja, asht kenë edhe student në shkollën Françeskane të Shkodres, dhe bashkohës i të gjithë kompozitorve që kanë dalë nga bankat e At Martin Gjokës e mbas Tij At Filip Mazrrekut… Artikulli i Tij asht kenë një nga “zanët e mëshefta” të suflerit të Komitetit Qendror të PPSH… që nxjerrë në pah karakterin e tij tinzar, amoral, të pabesë dhe vrasës pikërisht, si miku i tij, shegert i të cilit ka vdekë tue i shërbye deri në ditën e fundit organit kriminal të Sigurimit të Shtetit dhe Ramiz Alisë, “hijes së zezë” të Enver Hoxhës, vetëm pse Prenkë Jakova nuk kompozoi një opera për Enver Hoxhën por, sakrifikoi edhe jetën e vet për të Madhin Gjergj Kastrioti Skenderbé! Data 22 Janar 1968, data e shfaqjes së Operes “Skenderbeu” asht data ma e keqe për fatin që e priste ma vonë kompozitorin Prenkë Jakova.

Me datën 16 Shtator 1969, shkova me pa tek dhoma e tij tue punue një shabllon Çesk Jakovën. Aty nga ora 10.30 p.dr. dola nga dhoma e tij dhe u ula poshtë tek zyrja e Pergjegjsës Sebiha Halili, ku lejohej me pi cigare. Posa ndeza cigarën ra telefoni. Çova receptorin dhe mora vesht se kërkonte Spitali Civil Çeskun, i thashë se po ta thrras. – Jo, më tha, thuej të vijnë në Spital se Prenka asht shumë randë. – Kush? – I thashë, unë, Prenka? – Po, më tha, po kur mori vesht se kush jam unë, më tha: “Mos i thuej gja Çeskut, por Prenka ka vdekë!”… U shtanga në vend!…. Shkova dhe njoftova Çeskun se të kërkon Spitali Civil, paska shkue Prenka aty se, nuk e ka ndie vedin mirë. Çesku iku me vrap në Spital… Mbas pak minutash u hap lajmi i vdekjes së Prenkës se, një puntor kishte ardhë nga Spitali e kishte tregue se “Prenka ka ra nga dritaria në Shtëpinë e Kulturës!..”.

Të nesërmen mbas dreke ishte funerali. Ishte gjetë nga shteti motivi i “vetvrasjës” me të cilin shteti justifikonte “mos pjesmarrjen e tij”. Çdo gja ishte private familjare! Por, edhe pse Prenka po “ridënohej” arkivoli doli nga shtëpia i mbajtun në dorë nga populli i pafarë. Në dritarën e shtëpisë Jak Benit karrshi rrugës Prenkës, dha gjamën e përcjelljes një za i dalun me forcë i Klotilde Shantojës, që shoqnohej nga motrat Gjonej, kushrina të sajat, vajzat e Ndrekë Gjonej. Na u drejtueme nga Serreqi dhe morëm këthesën nga rruga Ballabane, tue kalue para Katedralës së mbyllun që nga viti 1967. Ishte moment shumë prekës për né që njihnim Prenkën tue kalue para Asaj Kishë për të cilën, Prenka refuzoi edhe privilegjet e qeverisë së Tiranës, për mos me u largue nga tingujt e kumbonve të saj që i ushtonin mbi kokë të Tij përditë nga Ai kompanjel qind e sa vjeçar… Ashtu n’atë heshtje vazhdoi rrugën korteu me arkivol prap në dorë…

Kur kemi mërrijtë tek rruga e “Tre Herojve” kemi pasë drejtimin e arkivolit unë dhe ingj. Mark Shkreli. Aty na ka ndalue Angjelin Kumrija dhe na ka urdhnue me e kalue arkivolin në makinën e të vdekunve. Na kundërshtuem, por ai me ton na tha: “Kalonje këtu, se kështu asht urdhni!” edhe, na zbatuem “urdhnin”, tue e kalue arkivolin në makinë … (Ky moment asht fiksue nga fotografi Angjelin Nenshati në foto). Mërritëm në Rrëmaj. Aty kam “besue” se Prenka me të vërtetë kishte “vdekë”…ndoshta, “përgjithmonë”, se ashtu ishte “urdhni”!.. Prenkë Jakova po varrosej pa tingujt e bandës muzikore të qytetit të cilën e ka drejtue vetë.

Mbas funeralit jemi këthye rrugës me ZKE, të cilin e njihshe prej kohësh në Shtëpi të Kulturës. Kemi ecë nga Serreqi dhe jemi këthye nga Gjuhadoli e tek Dugajt’e Reja, në drejtim të Pjacës së Fushës së Çelës, dhe tek Biblioteka (Bashkia sot), jemi nda mbas një bisede shumë interesante, shumë sekrete dhe në besim të madh. Ai Burrë më tregoi si ka ndodhë njëditë ma përpara vdekja tragjike e Prenkë Jakovës, për të cilin ruente mbrenda zemrës së vet respektin, dashninë dhe dhimbjën ma të madhe.

Në ora 08.00 ky dhe drejtori Angjelin Kumrija kanë hapë Shtëpinë e Kuturës.

Aty nga ora 08.30’ kanë mërrijtë Prenkë Jakova dhe Ndoc Shllaku, dhe kanë hy në dhomën e Prenkës, nalt tek dera e parë djathtas. Porsa janë ngjite Ndoci asht ulë tek poltroni ngjitë me derën, ndërsa Prenka asht ulë tek pjanoforta. Ka shkue tek ata edhe drejtori Angjelini, e biseda asht ba me derë të hapun, ku tema ishte “martesa që ka ndër mend Prenka, por që nga këta dy konsiderohej e papërshtatëshme për një njeri si Prenka.

Prenka ka tregue vendimin e Tij dhe vëndosmeninë për me e krye martesën… Ndoci gjoja i zemruem asht çue dhe ka ikë nga Shtepia e Kulturës, tue e lanë Prenkën vetëm me Angjelinin. Angjelini ka dalë nga dhoma e Prenkës dhe ka shkue në drejtori, ka marrë “dikend”… në telefon, të cilit, i ka thanë: “Po,… Prenkën e kam këtu, mos u vononi!…” Angjelini asht zbritë deri në gjysmën e shkallës vertikale me një llampë elektrike në dorë dhe, ka thirrë me emën ZKE, që ishte nën zyrën e tij poshtë, pikërisht, aty ku ndigjohej çdo bisedë që bahej në drejtori, aq ma shumë bisedat telefonike me za të naltë prej Angjelinit. ZKE ka dalë në korridor poshtë tue pritë çka urdhnon drejtori, i cili, i ka thanë: “Mbylle derën e Shtëpisë së Kulturës dhe mos e hap pa të urdhnue vetë!” dhe asht ngjitë naltë dhe ka shkue drejtë e nga dhoma e Prenkës, gja të cilën ZKE e ka dallue nga kambët në drrasat e korridorit…ZKE ka mbyllë derën dhe ka hy në zyrën e vet. Shumë shpejtë Angjelini ka dalë nga dhoma dhe ka thirrë ZKE: “Eja shpejtë se Prenka ra nga dritaria!”…Asht ngjitë dhe ka shikue nga dritaria prej ku shihëj Prenka poshtë i mbuluem me gjak…Kanë zbritë shpejtë, por gjithshka kishte mbarue…Ai kishte ra me kokë në çimento dhe pa ndjenja…Angjelini, ka dalë tek rruga me pa mos kalon ndonjë makinë, ndersa ZKE, mbante në duert e Tija kokën e përgjakun të Prenkës. Mbas 5’ ka kalue një makinë zis, kamjon i vogël dhe bashkë me shoferin kanë bajtë Prenkën, dhe janë nisë nga spitali civil. Rrugës në gjithë atë shpejtësi kanë mujtë me kuptue se “Prenka dha Shpirtë mbas pak minutash, pa mërrijtë në spital”…

Në darkë nga ora 5 (17) mbasdreke ka ardhë nga Tirana Mantho Bala, zv ministër për kulturën. Porsa ka hy tek dera e Shtëpisë së Kulturës i ka thanë të pranishëmve:

Ai me të vërtetë ra dhe vdiq por mos harroni se Prenka ka ra mbi kokat tona!”. /KultPlus.com

Të ngjajshme