16 Qershor, 2018 - 6:01 pm
Në kuadrin e vizitës në Berlin, presidenti Ilir Meta, i akordoi në një ceremoni të veçantë violinistes së shquar shqiptare, Ervis Gega, Titullin e lartë “Naim Frashëri”.
Presidenti Meta me këtë rast shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e dhënë nga violinistja e shquar për lartësimin e emrit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, njofton zyra e Presidencës së Shqipërisë.
“Kam privilegjin që si president të Republikës të vlerësoj një personalitet që kontribuon për lartësimin e emrit të vendit tonë në Gjermani, në Evropë dhe në të gjithë skenat ku ajo demonstron talentin e saj”, tha Meta.
Duke vlerësuar talentin e Gegës, performancën e saj në skenat më prestigjioze të Gjermanisë dhe të botës, si dhe karrierën shumë të suksesshme artistike si Koncertmaestre e parë e Filarmonisë së Bonnit, Presidenti Meta nënvizoi se shqiptarët ndjehen krenarë me talente të tilla në botë.
Presidenti i Republikës i akordoi violinistes Ervis Gega titullin e lartë “Naim Frashëri” me motivacionin “në shenjë vlerësimi për kontributin artistik si një violiniste e shquar dhe e suksesshme shqiptare e cila interpretuar në festivalet shqiptare dhe në skenat e mëdha botërore”.