Presidentja Osmani ia dorëzoi medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit Oda

24 Korrik, 2024 - 12:50 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave Rock Grupit Oda për promovimin e vlerave muzikore si pjesë e gjeneratës së artë të rockut në Kosovë.

Në emër të grupit, Medaljen e ka pranuar Dukagjin Lipa, i cili e ka falënderuar Presidenten Osmani për dekoratën.

Presidentja Osmani ka theksuar se Oda, sikurse edhe grupe të tjera të viteve të 80-ta, ishin jo vetëm interpretues, por edhe katalizatorë të ndryshimeve shoqërore.

“Muzika e Odës është emblemë e identitetit kulturor dhe krenarisë për Kosovën. Krijimtaria muzikore e tyre vazhdon të jetë dëshmi e fuqisë transformuese të artit në kohë dhe periudha të ndryshme duke u shndërruar po ashtu në një mjet rezistence”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndryshe, Medalja Presidenciale grupit Oda i është ndarë një vit më parë në një ceremoni në të cilën janë nderuar edhe rock grupe të tjera të asaj periudhe, sikurse edhe institucione e personalitete të tjera, të cilat kanë kontribuar ndër vite.

Vlenë të theksohet se kjo ceremoni u mbajt në prag të fillimit të Sunny Hill Festival. Në pamundësi për të qenë prezente për shkak të agjendës ndërkombëtare, Presidentja Osmani e përgëzoi z. Lipa, Dua Lipën dhe Sunny Hill Foundation për punën e shkëlqyer duke i uruar që ky edicion të jetë një tjetër sukseses i jashtëzakonshëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme