21 Mars, 2021 - 7:29 pm
Me koncertin e Prishtina Brass të mbajtur sot në Kino Armata, u shënua fillimi i Javës së Frankofonisë në Kosovë e cila prezantoi edicionin e 24-të të programit të tyre që në thelb shfaq kulturën franceze me të gjitha degët e saj diversive, shkruan KultPlus.
Prishtina Brass filloi koncertin e hapjes së Frankofonisë, pikërisht nën tingujt e himnit shtetëror. Të pranishmit edhe pse qëndruan në të ftohtë shijuan melodinë e përzemërt të përcjellë me heshtje. Me vazhdimin e interpretimit të instrumentistëve të mahnitshëm dhe pas secilës këngë ishte publiku ai që me entuziazmin e vet e bëri edhe më të ngrohtë koncertin e mbajtur nën tezgën e jashtme të objektit Kino Armata. Për shkak të pandemisë COVID-19, pjesëmarrësit ishin të limituar por megjithatë publiku i paktë i cili afroi pranë edhe fëmijët e vegjël, përcolli lumturinë e cila u shpalos edhe nën duartrokitjet e tyre nga duart e akullta ku edhe më pas atmosfera u gjallërua edhe më shumë.
Ndonëse data 21 mars përkon me ditën e parë të stinës së Pranverës, ardhja e së cilës përcaktohet me ndjekjen e qendrës së Diellit sipas ekliptikës, dielli sot nuk ishte prezent për të shoqëruar tingujt e instrumenteve dhe interpretimit të orkestrës. Edhe pse në mot me borë, audienca nuk po humbiste ritmin e saj, teksa ata kërcenin e lëviznin herë pas herë, me qëllim të ngrohjes së trupit, pasi që tanimë zemrat dhe shpirti i tyre, ishin të mbushura plot me harmoninë e pasuar nga talenti i shfaqur para syve të tyre.
Kënga e fundit që u soll nën interpretimin e Prishtina Brass ishte ‘Kur pranvera ishte në Prishtinë’, për të sjellë sado pak melankolinë e pranverës, të shoqëruar me fluskat e borës që kishin zënë të bien.
Pas përfundimit të koncertit të Prishtina Brass, të pranishmit vazhduan të mbledheshin brenda objektit të Kino Armata, për të shijuar nga një kafe apo gotë verë. Ata më pas u shoqëruan nga shfaqja e filmit “Le chant du loup” nga Antonin Baudry. Kësaj rradhe filmi u transmetua në rehatinë dhe ngrohtësinë e domosdoshme në këtë mot të ftohtë./KultPlus.com