18 Shkurt, 2023 - 2:30 pm
Flonja Haxhaj
Përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës jehoi me tingujt e muzikës Jazz që erdhën nga një grup i muzicientëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Spanja, të cilët u paraqitën për herë të parë në këtë formacion duke dhënë një emocion të pashoq të dirigjuar nga dirigjenti Armend Xhaferi, përcjell KultPlus.
Me një repertor të përzgjedhur enkas për të shënuar festën e pavarësisë, ”Jazz Big Band’ përcollën frymën e muzikës jazz modern para publikut që kishin mbushur plot Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Ndonëse me vetëm një provë të realizuar para koncertit, muzicientët arritën të realizojnë në përpikmëri të repertorin, e kjo u dëshmua edhe me duartrokitjet që pasonin pas çdo performance.
Pas koncertit, për KultPlus foli dirigjenti Xhaferi i cili tha se ky koncert që erdhi për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i përmbushi të gjitha pritshmëritë e tij.
“Ka qenë një performancë edhe më e mirë se sa që e kam pritur, marrë parasysh që e kemi realizuar vetëm një provë para koncertit”, u shpreh Xhaferi.
“Jazz komuniteti është i vogël, janë pak njerëz dhe ata kur takohen janë si një familje, i kanë dëshirat, idetë, qëllimet dhe ëndrrat e njëjta. Kështu që edhe ne e kemi pasë një komunikim shumë të mirë”, përfundoi ai duke folur edhe për bashkëpunimin mes muzicientëve e për të cilët ky bashkëpunim me njëri-tjetrin ishte i pari.
Më pas për KultPlus foli edhe pianisti Ilir Bajri i cili vlerësoi lart koncertin e djeshëm, duke u shprehur i lumtur për realizimin e tij pikërisht më 17 shkurt.
“Armend Xhaferi me idenë dhe punën e tij ka arritur të mbledhë një ekip shumë të mirë të muzicientëve të regjionit dhe me i sjellë me festu bashkë këtë festë kaq të rëndësishme për neve. Me këtë lloj të muzicientëve, përveç që është hera e parë, është edhe një lloj motivimi i ri për neve me punu me këso lloj kualitetesh”, tha mes tjerash Bajri.
Ndërkaq, formacioni i orkestrës u përbë nga Armend Xhaferi si dirigjent dhe kitarist, Kiril Kuzmanov, Arian Randobrava, Ivan Ivanov, Arnau Garoffe dhe Ivan Yordanov në saksofonë, Todor Bakarijev, Trajče Velkov, Aleksandar Milanov dhe Rajkard Bardhi në bori, Saško Nikolovski, Vladislav Mičev, Ilir Vorpsi dhe Nikola Ristevski në trombonë, Ilir Bajri në piano, Kiril Tufekćievski në kontrabas si dhe Nesim Maxhuni në bateri./KultPlus.com