20 Shkurt, 2019 - 3:30 pm
Pas suksesit të edicionit të parë, këtë vit do të organizohet edicioni i dytë i Prishtina Jazz Week, ku përveç performancave të muzikantëve të njohur ndërkombëtare që vijnë nga vendet e ndryshme si: Amerika, Turqia, Hungaria e rajoni, këtë vit gjatë këtyre katër ditëve do të organizohen diskutime, shfaqje të filmit për muzikën Jazz, dhe punëtori që kanë të bëjnë me instrumentet të cilat përfaqësojnë muzikën e lartpërmendur.
Përgjatë viteve të fundit, skena e jazz-it në Prishtinë e ka përjetuar një zhvillim shumë pozitiv, gjë e cila dëshmohet përmes publikimit të disa jazz albumeve origjinale, rritjes së bashkëpunimit në mes të muzikantëve vendor me ata ndërkombëtar, dhe rritjes së interesimit të publikut për evente me muzikë jazz. Ndonëse etja e publikut kosovar, e kryesisht e atij Prishtinas, për muzikë jazz e gjente përgjigjen në festivalin e përvitshëm të quajtur Prishtina Jazz Festival, ndalja e aktivitetit të këtij festivali në tre vitet e fundit e ka lënë një zbraztësi në qytet sa i përket kësaj shtrese në rritje të shoqërisë, dhe një mungesë të theksuar të performansave nga jazz muzikantë botëror në kryeqytet.
Krahas përgjegjës ndaj kërkesës së madhe për muzikë jazz në kryeqytet, ky festival gjithashtu ka për qëllim t’i ekspozojë artistët e rinj kosovar ndaj performancave kulminante të jazz-it nga muzikantë të njohur botërorë, në mënyrë që t’i inspirojë ata për të krijuar dhe për ta përmirësuar artin e tyre.
Këtë vit do të prezantohet edicioni i dytë me emrin “Prishtina Jazz Week 2019”, edicion i cili do të mbahet në hapësirën e ‘Kino Armata’ nga data 4 deri më 7 mars. / KultPlus.com