25 Shkurt, 2019 - 2:00 pm
Një koncert ndryshe po vjen në Prishtinë. Krejt kjo pas një pune të madhe të një grupi artistësh që kanë punuar fort për të sjellë një event të veçantë, shkruan KultPlus.
I titulluar “Event 55”, ky koncert i zhanrit Etno-Jazz do të sjell para publikut instrumentistë të dy zhanreve të ndryshme, të cilët kanë punuar në ri-aranzhimin e disa këngëve shqipe në një stil modern.
Orkestra e “Event 55” përbëhet nga Afrim Sadiku, Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Gëzim Sadiku, Fatlum Ferati, Aleksandar Jovevski, Sefjedin Kryeziu, Mustafë Ramaj, Teoman Ukça. Nën shoqërinë e orkestrit me disa pika do të jenë edhe këngëtarët Petrit Çarkaxhiu, Agona Shporta, Ganimete Asllani, Mustafë Ramaj, Rijad dhe Mirhad Lecaj.
Për këtë koncert është bërë përzgjedhja e disa pikave muzikore ku Afrim Sadiku bashkë me Ilir Bajrin dhe Armend Xhaferin i kanë ri-aranzhuar dhe do t’i sjellin në zhanrin Etno-Jazz.
Ideja e tyre është të sjellin muzikë jazz por që tingëllon shqip, e kështu përmes muzikës të identifikohet edhe prejardhja e performuesve, pasi që ky koncert ka për qëllim të udhëtojë në disa shtete dhe festivale të muzikës jazz.
Kjo ngjarje njëherit shënon edhe rikthimin e Afrim Sadikut një prej instrumentistëve i cili ekzekuton me instrumentet me tela si sharki dhe çifteli që nga mosha 9 vjeçare. Gjatë karrierës së tij muzikore ka qenë drejtor artistik i ansamblit Azem Bejta, është marrë me komponimin dhe aranzhimin e këngëve të pothuajse gjithë estradës deri më sot. Atë e karakterizon stili i veçantë me të cilin i sjell këngët shqipe. Projekti i fundit ku ka marr pjesë është “Kënga e Ashikëve” e grupit Jericho. Në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e projekteve tjera të rock’ut të grupit Troja.
Ndërsa koncerti “Event 55” do të mbahet në teatrin Oda më 2 mars me fillim nga ora 20:00. Ky është një event me ftesa, mirëpo të gjithë të interesuarit mund të shikojnë në faqen e eventit në Facebook për të kuptuar nëse ka vende të lira në sallë. / KultPlus.com