Prishtina së shpejti pasurohet me festivalin që do i dedikohet muzikës vokale

27 Shtator, 2018 - 7:30 pm

Alberina Haxhijaj

Prishtinës së shpejti do i shtohet edhe një festival i cili në fokus të tij do të ketë muzikën vokale, i titulluar “Prishtina Internacional Vocal Festival”. Edicioni i parë i këtij festivali i cili synon që të pasurojë skenën vendore do të fillojë më 3 tetor dhe do të përfundoj më 7 tetor. KultPlus ka biseduar së bashku me udhëheqësin e festivalit, Hajrulla Syla për të mësuar më shumë detaje rreth këtij festivali dhe risit që do të sjellë.

Ideja për krijim e një festivali të tillë dedikuar muzikës vokale sipas Hajrullahut rrjedh nga fakti se në Kosovës nuk organizohen festivale të tilla të cilat i dedikohen muzikës vokale. Njëkohësisht ky festival, sipas tij do nxisë edhe krijimin apo formimin e ansambleve apo koreve të rejat në Kosovë. Por festivali nuk ndalet vetëm këtu, një ndër qëllimet e tij është edhe nxitja që kompozitorët të kompozojnë vepra të reja vokale. Për të arritur këtë ky festival që në fillim pati hapur një konkurs për kompozitorë.

“Kjo është bërë me qëllim që të nxisë kompozitorët kosovar të krijojnë vepra të muzikës vokale/korale që sa më shumë ta pasurojnë këtë gjini muzikore, ku nga të gjitha aplikimet, nga juria profesionale janë përzgjedhur tri vepra që do t’i sjellë kori i Filharmonisë së Kosovës”, tregoi ai për KultPlus.

Në kuadër të festivalit, më 7 shtator do të prezantohen për herë të parë para publikut veprat: “I nemun” kompozuar nga Ylli Daklani, “…rrugës” nga Memli Kelmendi dhe “Mother” nga Artan Hasani.

Kjo natë do të jetë edhe nata përmbyllëse e festivalit. Koncerti në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës, me soliste Arta Jashari – soprano, Elton Balla – fizarmonikë, Artemida Qarri Haxhiaj – piano dhe orkestrënkamertale harkore të Filharmonisë së Kosovës, do të dirigjohet nga Kushtrim Gashi.

Kori i Filharmonisë së Kosovës me 3 premiera botërore në “Prishtina International Vocal Festival”

Përveç këtij koncerti ky edicion i parë i festivalit do të sjellë edhe tri koncerte të tjera. “Në këto koncerte do të kemi artist të njohur nga skena vendore dhe ndërkombëtare. Hapjen e këtij edicioni do t’abëjnë anëtarët e ansambli tashmë i njohur nga Londra, The Gesualdo Six. Ky ansambël do të sjellë një program mjaft interesant për publikun tonë, ku në fokus do të jetë Mesha për katër zëra e kompozitorit të njohur William Byrd”, tregoi për KultPlus Hajrullah Syla.

The Gesualdo Six është një grup vokal i përbërë nga disa prej këngëtarëve më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar, të drejtuar nga Owain Park. Formuar në mars të vitit 2014 për një shfaqje të Gesualdo’s Tenebrae Responsories për Maundy Thursday në kishëzën Trinity College, në Kemrbixh, grupi vazhdoi të jepte mbi gjashtëdhjetë shfaqje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë vendit në 3 vitet e para.

Në natën e dytë, që do të mbahet me datë 4 tetor, pjesëmarrës do të jetë ansambli ‘Zanat’ nga Prishtina dhe kori ‘Siparantum’ nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin, për të vazhduar me natën e tretë që do të mbahet me datë 6 tetor, ku në skenë do të paraqitet kori i femrave nga Shkupi me dirigjent Sasho Tatarchevski.

Hapja dhe mbyllja e PriVocalFest-it do të bëhet në Kishën Katolike “Shën Ndou” ndërsa dy koncertet tjera do të mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KulPlus.com

Të ngjajshme