Pritje e jashtëzakonshme për mexosopranon Flaka Goranci në Spanjë: Ishte vërtetë mbresëlënëse

12 Mars, 2025 - 3:29 pm

“La Femme” është albumi që përfshinë 21 vepra të 21 kompozitoreve gra, e që nëpërmjet këtij albumi po emocionon publikun mexosopranoja Flaka Gornaci, e një emocion të tillë së fundi dha për audiencën e Spanjës, edhe atë në dy performanca të ndara, një në Alicanet e një Valencia.

Me “La Femme” Goranci është prezantuar tashmë në disa shtete, por Spanja mbetet vend debutues për artisten Goranci e cila ka shijuar performancën e saj para adhuruesve spanjollë.

Duket se kjo pritje e ka lënë pa fjalë edhe vetë Gorancin, e cila emocionin e përjetuar atje, sipas saj e ka të pamundur ta shpreh me fjalë.

“Pas koncerteve debutuese në Alicante dhe Valencia, me programin “La Femme” që sjell vepra të njohura, më pak të njohura dhe hite nga gra kompozitore nga e gjithë bota, që i realizuam bashkë me dirigjentin Ignacio Vidal dhe ansamblin Casa Mediterraneo, e kam pothuajse të pamundur të gjej fjalët e duhura për të përshkruar emocionet, atmosferën dhe reagimet e jashtëzakonshme të publikut”, shprehet Goranci .

Ajo edhe pak ditë pasi e ka përfunduar këtë paraqitje e kujton se me sa ngrohtësi e përqafuan programin, duke marrë dy herë ovacione të gjata përgjatë koncertit. “Diçka kaq e rralë, ishte vërtet mbresëlënëse”, ka vijur Gornaci.

Kjo pritje për mexosopranon Goranci është edhe vulë për projektin e saj “La Femme”, projekt që ka punuar më shumë përkushtim. Ajo është shprehur tejet e lumtur që ky projekt edhe në prezantimet e mëhershme, por edhe në Spanjë po kuptohet shumë mirë nga audienca, gjë që sipas saj kjo është më se e rëndësishme për një artist.

“Ndihem krenare, jo vetëm si interprete, por edhe si krijuese dhe producente e këtij koncepti dhe projekti”, ka thënë për fund Goranci.

Flaka Goranci përpos paraqitjeve jashtë vendit, ajo herë pas here po rikthehet edhe në Kosovë në paraqitje të ndryshme, duke qenë e pranishme me projekte edhe në Shqipëri./ KultPlus.com

Të ngjajshme