Promovohet libri rreth instrumentistit Astrit Stafa, në kuadër të DAM Festivalit

4 Prill, 2018 - 6:28 pm

Alberina Haxhijaj

Dita e sotme e Festivalit DAM në Prishtinë i është dedikuar promovimit të librave duke sjellë kështu promovimin e librit “Virtuoziteti dhe muzikaliteti i jashtëzakonshëm përmes telave”, shkruar nga Mimoza Kurshumlia e që i kushtohet punës së artistit Astrit Stafaj.

Qëllimi i këtij libri është që të njihet më shumë ky artist i cili po shkëlqen në skenat shqiptare dhe më gjerë. Ai po ashtu njihet për një gjithëpërfshirje të instrumenteve me tela, nga ato klasike deri tek ato tradicionale e orientale.

Shkrimtarja e librit, Mimoza Kurshumlia, ka sjellë një vështrim mjaft të detajuar për aktivitetin dhe aftësitë interpretuese të Astritit. Ajo tregoi se libri është titulluar “Virtuoziteti dhe muzikaliteti i jashtëzakonshëm përmes telave”, pikërisht për shkak se ky artist është njohës dhe interpretues shumë i mirë i kësaj kategorie të instrumenteve, shkruan KultPlus.

“Libri i cili është punimi im i parë në vete përmban biografinë e një super talenti tonë në instrumente me tela, i cili shquhet edhe si multi-instrumentist në instrumente me tela të cilat i ka studiuar me shumë përkushtim”, tha autorja duke treguar se në këtë libër është paraqitur biografia e artistit duke përfshirë çmimet dhe mirënjohjet, por edhe historia e instrumenteve në të cilat ai luan, duke mos harruar edhe materiale të cilat i kanë shkruar kritikë të tjerë e gjithashtu edhe artikuj nga mediat e ndryshme. Në fund të librit është edhe një CD me interpretime nga vetë instrumentisti Stafaj.

Astrit Stafa i cili edhe ishte i pranishëm në promovim falënderoi Festivalin DAM për hapësirën që po u ofron të gjithë artistëve për të shpalosur muzikalitetin e tyre.

“Në ditët e sotme është mjaft e vështirë të merresh me art duke marrë parasysh se në çfarë kohe jemi duke jetuar. Megjithë këtë sa i përket librit mund të them se kjo ka qenë një nismë e mirë në organologjinë muzikore, pra të instrumenteve folklorike në përgjithësi. Kështu artistët e ri do të kenë mundësi që të shohin se në vendin e tyre ka pasur muzikantë të zotë, kompozitorë e kështu më radhë. Gjenerata jonë e ka marrë një rrugë shumë të drejtë, promovimin e artistëve sa janë gjallë, kështu ata i gëzojnë sukseset e tyre sa janë gjallë dhe jo pasi që të ndërrojnë jetë”, tha artisti për të cilin u promovua libri.

Më të përfunduar promovimi i librit, Astrit Stafa filloi të bënte atë që bënë më së miri. Ai solli një interpretim të shkurtër duke dëshmuar se interpretimin në instrument e merr si një detyrë e cila shërben për të dhuruar emocione, gjë e cila nuk mësohet në shkolla por lind dhe ndjehet përbrenda artistit. / KultPlus.com

Të ngjajshme