Provokim ndjenjash për rreth dy orë nga interpretimet e magjishme në koncertin e Filharmonisë së Kosovës

2 Mars, 2020 - 11:55 am

Qendrim Badalli
Fotografitë: Arben Llapashtica

Një çift rreth të tridhjetave kishte zënë vendin e tyre. Me vete kishin edhe një vajzë të vogël, e cila në duar po mbante një fletushkë. Ishte fletushka e koncertit të Filharmonisë së Kosovës i cili mbrëmë do të fillonte në Sallën e Kuqe në Prishtinë me Orkestrën e Kosovës dhe pesë artistë të huaj, shkruan KultPlus.com

“Mirëmbrëma”, tha në shqip dirigjenti Dariusz Mikulski, pasi doli në pjesën qendrore të sallës. Meqë shqip po e dinte vetëm atë përshëndetje, ai vazhdoi në anglishte të tregonte për pjesët që do luheshin, teksa ndër të tjera tha: “Ka njerëz të fjalëve dhe të ndjenjave, ne artistët jemi njerëz të ndjenjave”, duke paralajmëruar provokim ndjenjash për dy orë të plota.

Para çdo pjese të dhënë në koncert, dirigjenti që gjatë gjithë kohës dukej shumë i disponuar, ndonjëherë prezantonte shkurt pjesët që do luheshin, ndonjëherë jepte ndonjë batutë të shkurt. Dirigjenti Mikulski, teksa mirëpriste artistët e tjerë në skenë, publikut po i kërkonte duartrokitje të forta, të cilat pasonin menjëherë. Në fakt, për të gjithë artistët mysafir nuk munguan as buqetat me lule. Kështu e gjithë mbrëmja kaloi me një atmosferë të ngrohtë dhe energjike.

Nën udhëheqjen e dirigjentit, Dariusz Mikulski, dhe të përcjellë nga Orkestra e Kosovës, artistët e huaj që performuan ishin: Otto Sauter në pikolo trumbetë, Armin Bachmann në trombone, Davide Alogna në violinë si dhe sopranoja Aleksandra Gudzio. Nga ky ansambël artistik, u interpretuan vepra të George F. Handel, Wolfgang A. Mozart, Henryk Gorecki, Enjott Schneider, Gioachino Rossini, Laun Grondahl, Wojciech Kilar.

Në një intervistë për KultPlus, dirigjenti veteran Rafet Rudi, e vlerësoi këtë paraqitje, teksa theksoi dy arsye për vlerësimin e tij:

“Ishte një prej koncerteve më të mira që kam dëgjuar këto dy vitet e fundit, një për shkak të programit të përgatitur që ishte jashtëzakonisht i vështirë për këtë ansambël, dhe së dyti, më në fund Orkestra doli nga ajo korniza programore e kohëve të fundit, që ka pasur përsëritje, këtu është parë që mundet t’i rreket edhe programeve tjera të mira”.

Rudi përmendi specifikisht Orkestrën e Kosovës për nivelin e tyre të treguar gjatë performancës:

“Mendoj se Orkestra sonte ka qenë në nivel sidomos për shkak të këtij programi të vështirë edhe në kuptimin e materies që është e re për Orkestrën por edhe për shkak të niveli teknik që kanë këto vepra”.

Sopranoja nga Polonia, Aleksandra Gudzio, në një intervistë për KultPlus, shprehu emocionet e saj të para pas përfundimit të koncertit:

“E shijova këtë mbrëmje shumë, më pëlqeu Orkestra e cila performoi jashtëzakonisht mirë dhe audienca po ashtu, unë mezi e prisja mbrëmjen e sotme dhe jam shumë e lumtur që e realizova koncertin këtu.”

Gudzio, pati vlerësim pozitiv edhe për Orkestrën e Kosovës:

“Unë jam këtu që një javë, dhe çdo ditë kemi pasur përgatitje, ata ishin çdo ditë e më të mirë dhe mendoj se janë shumë kualitativ.”

Meqë ishte hera e parë në Kosovë, ajo na tregoi edhe për mendimin e saj rreth vendit dhe njerëzve këtu:

“Është hera e parë që jam këtu. Më pëlqen shumë ky vend, më pëlqejnë shume dhe njerëzit, ju jeni shumë të shoqërueshëm dhe po ashtu keni një histori interesante. Unë vizitova NewBornin dhe Monumentin e Heroinave, që të dyja janë të mrekullueshme.”


Dirigjenti, Dariusz Mikulski, në një intervistë për KultPlus, tha se përmes këtij programi divers kanë shprehu ndjenja:

“Përshtypja ime e parë është që ky koncert ishte shumë i ndryshëm me program divers, si vet jeta njerëzore. Unë po mendoja se çfarë mund të them rreth këtij koncerti dhe thash me vete të flas rreth ndjenjave, të cilat janë natyrale për ne, të cilat i shprehim ne.”

Dirigjenti Mikulski, pati vlerësim të madh për publikun në sallë të cilët i quajti “fantastik”:

“Në fillim unë kisha pak frikë rreth reagimit të publikut por më duhet ta them që ju keni një publik fantastik, dëgjoni me shumë vëmendje,  dhe kjo muzicientëve u jep fuqi të pabesueshme, të jesh më i mirë në skenë, të shfaqësh më shumë ndjenja.”

Kërkesën e kamotshme të  komunitetit artsitik në vend për një sallë koncertale nuk e la pa e cekur as dirigjenti Mikulski, ai e përmendi këtë çështje, por në një formë urimi:

“Çfarë unë do të uroja për muzicientët dhe për Filarmoninë e Kosovës, si dhe më së rëndësishmi për publikun kosovarë, është një sallë e re e koncertit”.

Kur ora shënonte 22:00, publiku po e lëshonte sallën. Dikush nga ta u ndal për ta bërë ndonjë fotografi me protagonistët e mbrëmjes. Teknika po bartej nga salla. Koncerti kishte përfunduar. / KultPlus.com

Të ngjajshme