12 Prill, 2022 - 11:30 pm
Këngëtari nga Korea Jugore, Psy, më së miri i njohur për hitin e vitit 2013, “Gangnam Style”, do të rikthehet me muzikë të re pas një mungesë pesëvjeçare.
Në mëngjesin e së martës, artisti 44-vjeçar e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta bërë të ditur rikthimin e shumëpritur në skenën muzikore.
Psy zbuloi se albumi i tij i nëntë me titull “Psy 9th”, do të lansohet në treg më 29 prill të këtij viti, raportoi të martën portali “NME”.
Në klipin e postuar në Instagram, që është xhiruar në një koncert të këngëtarit në vitin 2013, ai dëgjohet duke folur për faktin se i ishin dashur 10 vjet për ta shkruar hitin global, “Gangnam Style”. Kështu, duke bërë shaka, ai u thotë fansave të pranishëm se ndoshta do t’i duhen edhe dhjetë vjet tjera për ta lansuar një këngë të ngjashme.
Në vitin 2017, Psy e lansoi albumin e tij të fundit pjesë e së cilit ishin edhe këngët, “I Luv It” dhe “New Face”. Një vit më vonë ai u largua nga labeli me të cilin kishte bashkëpunuar për shumë kohë, “YG Entertainment”. Në fillim të 2019-s, këngëtari e themeloi kompaninë e tij incizuese, “P Nation”, e cila nga atëherë ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi me disa artistë të njohur nga Korea Jugore.
“Gangnam Style” mbetet suksesi i madh i karrierës së këngëtarit Psy. Kënga deri më tani i numëron më shumë se 4.3 miliardë klikime në platformën muzikore YouTube. / KultPlus.com