2 Maj, 2018 - 10:00 pm
Zyra e drejtorit të SHSKUK-së ka deklaruar se është kërkuar që të ndalohet festa me tupan e valle para Klinikës së Gjinekologjisë
Në Qendrën Kl1inike Universitare të Kosovës pothuajse çdo ditë ka lot dhimbjeje, por edhe gëzimi. Kjo e fundit nuk shprehet vetëm me lot, por edhe me daulle, surle e valle.
Derisa një baba mund të vajtojë humbjen e fëmijës apo bashkëshortes së tij, një tjetër ia hedh valles para Klinikës së Gjinekologjisë duke prishur kështu qetësinë e pacientëve tjerë. Daullja nuk është e pazakontë në QKUK, e kjo ndodh sidomos kur ka lindje të djemve në Gjinekologji, shkruan Gazeta Shneta.
Një gjë e tillë është përsëritur dje, ndonëse babai pagoi daullexhinjtë për lindjen e vajzës. Për djalë apo për vajzë, një gjë e tillë po konsiderohet e papranueshme edhe nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.
Kjo zyrë tashmë ka kërkuar ndalimin e festave të tilla në hapësirat e QKUK-së.
“Është kërkuar ndalimi i personave me instrumente muzikore në hyrje të QKUK-së. Po ashtu janë urdhëruar edhe zyrtarët e sigurimit që të ndalojnë një gjë të tillë pranë Klinikës së Gjinekologjisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Drejtorit.