22 Korrik, 2019 - 11:32 pm
Festivali XIV ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, solli në Durrës instrumentistë nga vende të ndryshme të botës, që interpretuan një repertor të zgjedhur të muzikës klasike, për artdashësit e qytetit 3000-vjeçar, si dhe u njohën me Shqipërinë, vendin që ofron mundësi të mëdha.
Sergio Mastro është njëri prej tyre. Ai është një violonçelist mjaft i talentuar italian, po emrin dhe suksesin ia dedikon Vjenës, një prej kryeqyteteve botërore të muzikës klasike.
“Prej 20 vitesh jetoj në Vjenë dhe jam një nga themeluesit e ‘Vienna Chamber Symphony’. Durrës apo Durrazzo siç i themi ne italianët ka një muze fantastik dhe jemi të lumtur që jemi këtu”, tha Sergio Mastro, ‘Vienna Chamber Symphony’.
Sezoni turistik nuk është një periudhë pushimesh, por koncertesh. E përmes tyre dhe punës shijon dhe vende e kultura të reja për të. Serxho është pjesë e një grupi kozmopolit. Lukasi është britanik, Matias, hungarez, Nebojska është serb dhe Felipe që luan në kontrabas është spanjoll. Por ata i ka bashkuar Viena, magjia dhe pushteti i muzikës austriake.
“Jam i lumtur që jetoj në Austri, por unë jam italian. Shkoj shpesh të takoj prindërit. Austrinë e zgjodha për mundësitë, shanset e mira që të jep në fushën e muzikës dhe që Italia nuk mundet”, thotë Felipe.
Shokët e grupit instrumental shpresojnë të rikthehen sërish falë bashkëpunimit me ambasadën austriake, apo dhe nismave personale në një të ardhme të afërt. Qyteti dhe mikpritja, historia dhe deti janë një ftesë e hapur për të e shumë të tjerë.