5 Gusht, 2023 - 11:00 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga hapja e edicionit të dytë të “Himara International Music Festival”, me “Lament of earth”, vepër kushtuar ndryshimeve klimatike.
Rama shprehet se, çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himariot, teksa thekson se, eventet verore kudo nëpër Shqipëri mund të gjendet në kohën e duhur tek aplikacioni TEA.
“Hapje magjike e edicionit të dytë të “Himara International Music Festival”, me “Lament of earth”, vepër kushtuar ndryshimeve klimatike. Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himariot Eventet verore kudo nëpër Shqipëri i gjeni në kohën e duhur te TEA”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë, (Himara International Music Festival) është hapur me “Vajtimi i Tokës” (Lament of earth), një thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit si dhe “Himarës ç’i panë sytë”.
Kalaja e Himarës, e ndërtuar që në mesin shek IV para lindjes së Krishtit është shndërruar këtë fillim gushti në një skenë arti nën interpretimin e muzikantëve të jashtëzakonshëm nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Kosova, Rumania, Rusia, Greqia, Mali i Zi dhe Kanadaja.
Vajtimi i Tokës”, performanca audiovizuale e Donika Rudit dhe ReMusica Vocal Ensemble, me tekst të Doruntina Bashës, interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari, në drejtimin e mjeshtrit Rafet Rudi si dhe nën shoqërimin e vallëzimit të Agnesa Nokshiqit, u mirëprit nga të pranishmit ku interpretimi i magjishëm jehoi fuqishëm në këtë skenë natyrore.
Me pamjen e mrekullueshme nga kanioni i Vishës, plazhi i Livadhit dhe vargmali i Vetëtimës, në kalanë e Himarës që prej datës 3 gusht po mbahet ky aktivitet me performancë të muzikës klasike nga artistët vendas e të huaj.
Himara International Music Festival lindi si një projekt muzikor ku gjithsecili mund të përjetojë muzikën e tij të preferuar.
Ky aktivitet po i jep zë muzikës përfaqësuese të kulturës shqiptare, këngës tradicionale qytetare popullore dhe muzikës së kultivuar bashkëkohore.
Të tjera performanca shoqëruan mbrëmjet magjike pranë detit në jug të vendit me vargjet muzikore të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja, Vasil Sofokli Tole.
Çdo natë deri më 10 gusht do të vazhdojnë performancat e muzikës klasike në bregdetin e mrekullueshëm himarjot.
Dy pianistet shqiptare Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni, me karrierë të pasur në disa vende të Europës do të sjellin më 7 gusht një program me veprat e kompozitorëve të mëdhenj Brahms, Debussy, Fauré, Mozart dhe Dvorak.
Koncertin e datës 8 gusht, ky festival ia kushton tingujve magjikë të pianos, ku nën një rezonancë poetike do të vijnë disa nga veprat më të frymëzuara të kompozitorëve Schubert dhe Chopin, nën interpretimin e pianistit nga Franca, Sebastian Ene.
Kuarteti Eliott dhe pianisti Endri Nini, muzikantë të skenave më të rëndësishme të muzikës së dhomës në Europë, do të prezantojnë në 9 gusht koncertin “The World and I” me vepra ekzistenciale të kompozitorëve Mozart dhe Shostakovich, të cilët i ngritën himn në kryeveprat e tyre lirisë, gëzimit, trishtimit, dhe ngritjes krye ndaj diktaturës.
Festivali i Himarës, “Himara International Music Festival”, do të mbyllet me tingujt fantastike të luajtur nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould, i vlerësuar si zbulim solistik i muzikës klasike në Francë./atsh/KultPlus.com