3 Qershor, 2022 - 6:10 pm
Fëmijë nga qytete të ndryshme të vendit po marrin pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit për fëmijë “1 mbi 1 dritaret”, që po zhvillohet në qytetin e Beratit nga 1-10 qershor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky festival, që është shfaqja më e madhe teatrale me qëllim promovimin e qyteteve shqiptare.
“Tradita dhe kultura shqiptare po shpaloset hijshëm nga artistët e vegjël, në turin 10-ditor të festivalit teatror “Një Mbi Një Dritaret”, me koncerte dhe aktivitete argëtuese që kanë nisur prej 1 qershorit e do të vijojnë për disa ditë me radhë në qytetet kryesore të vendit”, u shpreh Rama.
Artdashësit e vegjël beratas po shijojnë performancat e magjishme të artistëve nga qytete të ndryshme të vendit në kalanë e qytetit.
Anëtarë të jurisë së këtij festivali janë aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Zamira Kita, Anila Bisha etj.
Ky është viti i dytë që zhvillohet ky festival, i cili bën të mundur edukimin e fëmijëve nëpërmjet teatrit, duke shkëmbyer kështu kulturën dhe traditat e qyteteve të ndryshme dhe trevave shqipfolëse jashtë kufijve, nën moton “Berati – Qyteti i Fëmijëve”./ KultPlus.com