8 Maj, 2018 - 12:00 pm
Alberina Haxhijaj
Sonte do të mbahet koncerti i titulluar “Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, në të cilin do të paraqitet tenori Ramë Lahaj pas disa viteve mungesë në skenën kosovare. Gjithë kjo pas sukseseve të panumërta që ai po arrin nëpër skenat më të mëdha operistike nëpër botë.
Tenori Ramë Lahaj në konferencën e cila u mbajt sot për media, shpalosi disa detaj për koncertin ndërsa tregoi se sa e rëndësishme është për të koncerti por edhe masterklasa që do të mbajë.
Fillimisht Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian tregoi se qendra ka pasur disa organizimi gjatë këtyre ditëve për të shënuar Ditën e Evropës. Mirëpo sipas saj mysafiri kryesor i këtyre organizimeve është tenorin Ramë Lahaj.
“Kemi një nderë të veçantë që ambasadorja Nataliya Apostolova ka vendosur që këtë vit Ditën e Evropës ta shënoj duke na e mundësuar që Ramë Lahaj përkundër agjendës së tij shumë të ngarkuar të performojë sonte në Prishtinë dhe të mbajë edhe masterklasë”, tha ajo.
Në anën tjetër përveç tenorit Ramë Lahaj në Prishtinë ka ardhur edhe pianisti, Alessandro Amoretti, i cili tashmë punon rregullisht së bashku me tenorin shqiptarë.
“Jam i lumtur që jam këtu për të shoqëruar mikun tim të cilin nuk ka shumë kohë që e kam takuar. Jemi takuar fillimisht në Rusi dhe menjëherë jam mahnitur nga zëri i tij. Unë punoj si trajner i zërit dhe mund ta them këtë pa pasur asnjë ngurri. Jam i lumtur që jam këtu dhe që e shoqëroj këtë këngëtar i cili ka shumë për ti dhënë botës”, tha ai.
E tenori Ramë Lahaj u shpreh së ardhjen në Prishtinë e kishte në mendje që një kohë të gjatë. Tutje ai kujtoi edhe fillimin e karrierës së tij ndërsa u shpreh se akoma ndjehet si një parashutistë në këtë profesion.
“Është kënaqësi që jam këtu pasi që është bërë mjaft gjatë që nuk kam qenë këtu. Jo për shkak se dëshira nuk ka ekzistuar mirëpo sepse kam qenë në fillim të hapave të karrierës sime dhe kam qenë mjaft i zënë. Mirëpo duke e parë që ishte një kauzë e cila më të vërtetë më pëlqeu u shkëputa për pak nga puna dhe jam këtu. Gjithmonë kam pasur dëshirë që të ketë një arsye të veçantë dhe jo thjeshtë të vi dhe të jap një koncert”, tha ai duke shtuar se Prishtina sado që i jep një kënaqësi të veçantë njëkohësisht i jep edhe një lloj stresi të cilin nuk e gjenë çdo kund.
Programi i cili do të jetë në koncert ka qenë i sajuar në momentet e fundit. Kështu tenori Ramë Lahaj sonte do të sjellë vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht.
Në kuadër të ardhje së tij ai do të mbajë edhe një mastërklasë, nesër, në ora 15:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
“Masterklasa është pjesa e preferuar e imja sepse është shumë e veçantë se sa shumë talente ka ky vend. Është vërtetë e vështirë, duke përfshirë këtu të gjitha vendet që kam udhëtuar nëpër botë, me arrit me gjete vokale që kanë një veçanti si kjo e zonës tonë. Në përgjithësi gjithë Ballkani por veçanërisht në Kosovë e Shqipëri. Jam shumë interesuar dhe kam bërë edhe disa punëtori të vogla pasi që gjithmonë kërkoj për talent të reja. Talent të cilin kisha mundur me i sugjeruar ose me i orientuar diku dhe jam i kënaqur që nesër do kemi mundësi të punojmë pikërisht me talent të rinj”, thekso ai duke shtuar se shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë më shpejtë në mënyrë që studentëve të ju ofrohen sa më shumë mundësi.
Koncerti do të jetë sonte në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitar. Biletat të cilat janë shpërndarë falas në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, tashmë kanë mbaruar./ KultPlus.com