6 Qershor, 2024 - 6:05 pm
Tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, gjendet në Shkodër së bashku me një tjetër tenor të njohur ndërkombëtarisht, të famshmin Alessandro Safina. Lahaj ndau në rrjet një foto së bashku me kolegun e tij, të cilin është duke e njohur me bukuritë natyrore të Shqipërisë, e siç shprehet Lahaj “me mrekullitë kulturore të Shkodër loces tonë”.
Së shpejti, dy tenorët do të këndojnë në një koncert, në Shkodër. “Ramë Lahaj & Friends” do të jetë i pari koncert i plotë i tenorit nga Kosova, në Shqipëri.
Koncerti do të mbahet më datë 8 qershor në sheshin e Shirokës, organizuar nga Bashkia Shkodër, nën patronazhin e kryebashkiakut, Benet Beci.
Në postimin e sotëm, në rrjetet sociale, Ramë Lahaj shkruan se, secili prej nesh e ka për detyrë të kontribuojë në imazhin e vërtetë të shqiptarëve, e jo atë negativ që është lobuar ndër vite nga dashakeqët.
Tenori Ramë Lahaj është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës. Ndonëse karriera e tij zhvillohet jashtë kufijve shqiptarë, artisti nga Kosova nuk harron rrënjët e tij, duke interpretuar edhe për publikun shqiptar./atsh/KultPlus.com