1 Gusht, 2022 - 1:16 pm
Uranik Emini
Opera ka pësuar ndryshime të vazhdueshme nëpër vite, që nga krijimi i saj në shekullin e 16-të, duke arritur që të bëhet një stil gjithëpërfshirës i artit të cilin e njohim sot. Teksti, i njohur sikurse “libretto”, muzika, këndimi dhe vënia në skenë janë disa prej pjesëve thelbësorë të një opere. Të gjitha këto u vënë bashkë në mënyrë magjike për të shpalosur madhështinë e edicionit të dytë të “Rame Lahaj Opera Music Festiva”, shkruan KultPlus.
Në opera përshkruhen të gjitha ndjenjat njerëzore. Tre temat kryesore të saj janë shpesh dashuria, tragjedia dhe vdekja. Njerëzit ndeshen me rrethana të jashtëzakonshme dhe tërhiqen nga emocionet e tyre të shtuara, shpesh të ndarë midis impulseve dhe detyrimeve të tyre. Të gjitha ekstremet janë të mundshme, duke përfshirë dashurinë me shikim të parë, vetëmohimin, magjepsjen, trimërinë, vetëvrasjen dhe vrasjen. Disa personazhe ndëshkohen për veprimet e tyre, ndërsa të tjerë gjejnë falje ose pendohen dhe herë pas here arrihet një përfundim i lumtur!
Mbrëmë në sheshin “Skënderbeu”, fundi, përveç gëzimit, i mërziti të pranishmit që po shijonin këtë festival të Rame Lahajt, i cili kishte mbledhur miqtë e tij me famë botërore, për t’i sjellë në Kosovë dhe për t’u dëshmuar se Kosova ka një histori të jashtëzakonshme.
I pari për të hapur këtë mbrëmje padyshim që ishte Lahaj, i cili mes tjerash u uroi mirëseardhje të pranishmëve, të cilin ishin në numër të madh.
“Ju falënderoj shumë të gjithëve që keni ndarë kohë për të ardhur këtu dhe për të shijuar këtë ambient. Dua të them se kjo do të ishte e pamundshme pa miqtë e mij, të cilën e bënë të mundur këtë festival. Kemi soprano që kanë udhëtuar 15-16 orë për të ardhur në Kosovë dhe për të performuar këtu. Ndërkaq, planet kanë ndryshuar dhe ka pësuar ndryshim edhe pjesa e performancave”, thotë Lahaj, duke shpjeguar se sopranoja Pretty Yende ka ardhur si rezultat i infektimit me COVID-19 të yllit, Angela Gheorghiu.
Lidhjet e hershme të karrierës mund të jenë përcaktuese për jetën.
“Ramë Lahaj & Friends” mblodhi yjet e mëdha botërore duke filluar nga sopranot e famshëm: Pretty Yende, Anna Bondarenko, Maestro Jean Bernard Thomas, ndërsa Franco Vassallo si bariton, të gjithë të udhëhequr nga dirigjenti dhe miku i kahmotshëm i Ramës, Valerio Galli.
Dirigjenti Maestro Valerio Galli shfrytëzoi fuqinë e tij të jashtëzakonshme sugjestive të muzikës për të hapur në mënyrë të suksesshme natën Gala dhe për të krijuar në anën tjetër atmosferë të veçantë me veprën “Nabucco”, në koordinim total me Filharmoninë e Kosovës, për të cilët Rama ishte shumë falënderues.
“Përtej universit”
Mehmet Murat Ildan ka thënë se nëse doni të përjetoni diçka përtej universit, duhet të shkoni në opera. E këtë për publikun e solli tenori tanimë me famë botërore, Rame Lahaj, me veprën “La Boeheme”, duke shprehur emocione të papërshkrueshme dhe portretizimin total të karakterit të tij.
Zë unik e paraqitje briliante
Radhën për të ngjitur skenën e kishte Pretty Yende, një mike e cila ishte e pranishme për Ramen në momentin kur ky kishte më së shumti nevojë. Paraqitja e saj ishte briliante dhe kaloi pritshmërinë e të gjithëve, me ç ‘rast u përcoll me shumë duartrokitje.
Forma e artit total
Pas disa veprave solo, Franco Vassallo me Rame Lahaj, bashkuan aftësitë dhe ekspertizën e tyre për të krijuar formën e artit total, ashtu siç edhe përshkruhet shpesh herë opera.
“Nexhmija e madhe”
Që kur ka filluar karrierën e saj muzikore, Erza Muqolli ka pasur përkrahje të vazhdueshme nga tenori Lahaj. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe në koncertin e parë, atëherë kur Muqolli ishte prezente. Gjatë prezantimeve të shkurtëra të cilat Lahaj i bënte për njerëzit që po performonin, ai tha për Erzën se është “Nexhmija e madhe”. Të dy performuan bashkë këngën “O moj bukuroshe”.
Opera është në thelb një lloj tregimi vokal dhe muzikor.
Sopranoja nga Ukraina, Anna Bondarenko rrënqethi publikun e pranishëm me performancën e saj. Opera, në thelbin e saj, është një mënyrë për të treguar një histori përmes muzikës dhe këndimit.
Qershia mbi tortë
Bashkëpunimi i Korit të Zërave të Bardhë “Okarina” dhe Rame Lahajt, të cilët njëzëri performuan këngën “O moj e bukura Arbëri”, ishte pikërisht ajo që i dha kësaj mbrëmje bukurinë dhe shkëlqimin e duhur.
Lulëzimi përfundimtar
Për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, Rame Lahaj ftojë të gjithë miqtë në skenë dhe të gjithë bashkë e dërguan publikun nga realiteti i përditshëm në një botë e në një dimension tjetër, ku muzika dominon.
***
Në një prononcim për KultPlus, Maestro Jean Bernard Thomas, njoftoi se është hera e parë që po vjen në Kosovë dhe është i lumtur e i befasuar nga numri i talentëve që Kosova ka.
“Jam shumë i befasuar dhe i lumtur që Kosova ka kaq shumë talentë, unë kalova disa ditë me ta dhe u befasova. Shpresoj që një ditë të kthehem dhe të jap edhe më shumë kontributin tim”.
Janë bërë shumë vite që punojmë bashkë me Ramen, mund të them që ne punojmë çdo ditë përkundër faktit që nuk jemi afër me njëri tjetrin. E bëjmë këtë gjë, çdo ditë përmes rrjeteve sociale. Ju duhet të mësoni çdo ditë dhe të mos ndaleni asnjëherë.
Thomas u befasua nga mikpritja e njerëzve në Kosovë dhe njoftoi se do të flas për Kosovën vazhdimisht, kudo që të jetë.
“Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë këtu, është e jashtëzakonshme se sa të thjesht janë njerëzit këtu. Ejani në Kosovë. Ata janë njerëz të hapur dhe të sjellshëm. Janë njerëzit më të mirë që i kam parë ndonjëherë në jetën time sa i përket sjelljes. Njerëzit këtu duan të bëjnë diçka, duan të bëhen dikush dhe kjo gjë më lumturon mua. Tani unë do të flas për Kosovën ngado që të shkoj”/
Anna dhe Ninna Krasniqi, anëtaret e korit “Okarina” u shfaqën teper të lumtura pas koncertit.
“Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Të performojmë bashkë me një emër sikurse Rame Lahaj është gëzim i madh dhe shpresojmë që të vazhdojmë sukseset tona”.
Ndërkaq, edhe e pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe sopranoja Marigona Qerkezi, tha për KultPlus se ishte me të vërtet një mbrëmje magjike.
“U kënaqëm sonte dhe me të vërtet ishte një natë magjike. I përgëzoj të gjithë organizatorët, me Ramën në krye, i uroj një jetëgjatësi festivalit me suksese të njëjta dhe më të mëdha se ky. Festivalet e tilla i duhen edhe më shumë Kosovë”, tha Qerkezi, duke shtuar edhe një herë pjesën se gjithçka ishte e mrekullueshme.
Opera ofron një përvojë të përbashkët, multikulturore dhe magjepsëse që bashkon artin me virtuozitetin, fuqinë, epikën dhe personalen, derisa ajo vazhdimisht po e ripërcakton veten si “ekspozita” më e madhe në botë e arteve interpretuese e potencialit njerëzor. /KultPlus.com