Ramë Lahaj: Koncertit ‘Rame Lahaj and friends’ do t’i bashkangjitet sopranoja Pretty Yende

30 Korrik, 2022 - 12:00 pm

Tenori Ramë Lahaj ka njoftuar se në koncertin përmbyllës së festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të jetë e ftuar edhe sopranoja e njohur, Pretty Yende, përcjell KultPlus.

Postimi i plotë:

Miq,

Po e ndaj një lajm shumë të gëzueshëm me juve: një mike imja e vjetër, një artiste e rrallë e shumë unike, sopranoja Pretty Yende, do t’i bashkangjitet RLIOF në natën Gala ‘Rame Lahaj and friends’, me 31 korrik, në ora 20:30 në Sheshin Skenderbeu në Prishtinë.

Yende është një soprano e jashtëzakonshme, e cila me shpejtësi arriti majat e karrierës së saj operistike duke u shndërruar kështu në një prej yjeve më të njohura në botën operistike.

Ajo do të jetë për herë të parë në Prishtinë. Na nderon tej mase përgjigjja e saj pozitive ndaj festivalit, anipse në momentin e fundit.

Në anën tjetër, me shumë keqardhje ju njoftojmë se sopranoja Angela Gheorghiu nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e ka të pamundun me udhëtu për në Kosovë, ku edhe po e planifikonte debutimin e saj në festivalin tonë.

Ky është mesazhi i Angelas për miqtë e festivalit RLIOF : ‘Dua t`i uroj të gjithë ata që kanë punuar për ta organizuar këtë koncert. Për arsye shëndetësore nuk do ta kem të mundur udhëtimin në Kosovë kësaj radhe, por shpresoj të jem në mesin tuaj dhe afër mikut dhe kolegut tim Rame Lahaj, edicionin e ardhshëm’. RLIOF Angelës i dëshirojmë shërim të shpejtë.

Ndërsa unë pres me padurim ta ndaj skenën me sopranon Pretty Yende dhe me artistët tjerë, miq të mi e të festivalit prej vitesh si: Valerio Galli, Franco Vassallo, Jean Bernard Thomas, Erza Muqolli, Anna Bondarenko, të gjithë të shoqëruar nga e mrekullueshmja Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe Kori i Fëmijëve ‘Okarina.

Shihemi nesër miq

Rame Lahaj dhe ekipi i RLIOF./ KultPlus.com

Të ngjajshme