9 Maj, 2018 - 6:29 pm
Gili Hoxhaj
Tenori i njohur Ramë Lahaj po qëndron këto ditë në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës. Ai sot u kthye përsëri në skenën ku performoi një natë më parë, kësaj here para një publiku që përbëhej kryesisht nga të rinj.
Lahaj erdhi për të ndarë një masterklasë me studentë të artit muzikor.
Para kësaj, ai ishte i hapur për të pranuar pyetje nga të pranishmit, që lidheshin kryesisht me eksperiencën e tij profesionale në skenat më të mëdha botërore. Nuk munguan as pyetjet për fillimet e rrugëtimit të tij dhe mungesën e mbështetjes. Ai tha se mungesa e mbështetjes në fillimet e tij është krejt e arsyeshme pasi që edhe për të muzika ka qenë fillimisht një eksperiment.
“Është krejt e logjikshme që s’kam pasur si të kem një mbështetje më të madhe pasi muzika për mua ka qenë një eksperiment që ka ardhë shumë vonë, shumica prej kolegëve dhe studentëve e dinë që unë kam filluar ta studioj pentagramin në një moshë shumë të vonë, në moshën 21 vjeçare dhe sigurisht që komentet s’kanë pasur si të jenë pozitive”, tregoi Lahaj.
Ai u shpreh se ajo që e pengon më së shumti është që në komunitetin muzikor artistik është krijuar një atmosferë jo shumë mbështetëse për njëri-tjetrin.
“Nëse do të mund ta kisha thënë që edhe të largohet ky mentaliteti i pedagogëve të vjetër që mendojnë se vetëm ata dinë dhe s’ka si të jetë ndryshe. Arti nuk është matematikë, ka shumë mundësi për të eksperimentuar dhe ka forma të reja të eksplorimit të artit”, u shpreh Lahaj sot gjatë ligjëratës në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Të pranishmit ia rikujtuan edhe rëndësinë që ka ai për imazhin e Kosovës, që shpesh herë e ka dërguar emrin e Kosovës në vendet më të njohura të botës. Lidhur me këtë ai tha se ai nuk është as drita e parë e as e fundit e tunelit pasi që Kosova ka shumë ambasadorë të fushave të ndryshme në botë, për të cilët as që dihet.
“Kam pasur fatin të takoj njerëz të suksesshëm të fushave të ndryshme por sa jemi duke u dhënë ne hapësirë atyre që të na promovojnë sa më mirë, sa jemi duke i promovuar që ta dijmë kë ku e kemi dhe sa janë duke kontribuar”, u shpreh Lahaj sot.
Lahaj tha se ka mbajtur në mënyrë vullnetare trajnime në shkolla të mesme dhe në Universitet, në mënyrë që t’i ndihmojë talentët e rinj kosovarë, për të mos u larguar në tërësi nga Kosova dhe aktivitetet këtu.
“Kam ardhur me dëshirën që dy fjalë të mira të eksperiencës time do t’i ndihmojnë dikujt, kanë me i hapë një rrugë apo një vizion. Dëshira ime më e madhe në botë është që ta transmetoj këtë eksperiencë time”, tregoi tenori i njohur Ramë Lahaj.
Viteve të fundit ai ka performuar në shtete të kontinenteve të ndryshme por thotë se tek shqiptarët dhe në Ballkan, ekziston një veçanti që tek muzika funksionon perfekt.
“Tek shqiptarët dhe në përgjithësi në Ballkan ekziston një lloj nervi, një lloj temperamenti që tek muzika funksionon perfekt. Tek arti funksionon perfekt edhe tregimi njerëzor, mënyra se si je rritur, rrugëtimi yt. Besoj se pak shoqëri të tjera e gëzojnë këtë natyrë të funksionimit të dashurisë dhe lidhjet që i kemi”, tha Ramë Lahaj.
Rrugëtimi jetësor nuk ka qenë i mbushur me momente vetëm të mira, edhe tek Lahaj.
Ai tha se ka vetëm një teori, që të punohet shumë dhe që të mos dorëzohesh pasi çdo rrugëtim ka rënie dhe ngritje. Ai tha se ndryshe po ndodhë me gjeneratat e pasluftës.
Pas ligjëratës, Lahaj priti në skenë studentë të muzikës, të cilët i dëgjonte me kujdes, i përgëzonte, i ndalte, këndonte bashkë me ta dhe i sugjeronte me këshilla e me komente.
Tenori Ramë Lahaj po bën karrierë të bujshme muzikore jashtë Kosovës me paraqitjet e tij edhe krahas yllit të madh Placido Domingo. Ai ka qëndruar këto ditë në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Qendra Kulturore dhe Informative e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këtyre ditëve ai është dekoruar nga Presidenti – Hashim Thaçi. / KultPlus.com