10 Shkurt, 2018 - 8:46 pm
Ky është reagimi i plotë
Mbrëmë, në vazhdën e një aktiviteti javor për ngritjen e vetëdijes dhe zhvillimit të diskutimit mbi çështjen kurde, pra pas projektimit të një dokumentari dhe një nate me muzikë kurde, policia me një prezencë të hekurt dhe me të gjitha njësitet e saj, përjashto njësitin anti-terror, ndërhyri në Qendren Sociale Sabota duke i terrorizuar të pranishmit.
Për orë të tëra, pa ndonjë shpjegim apo justifikim ligjor Policia e Kosovës e shndërroi qendrën sociale në një qendër mbajtje (burgu) ku u ndal muzika dhe mundësia e lirimit të objektit, për t’u dëgjuar urdhrat, këshillat dhe teket e një gjuhe të rëndë, patriarkale e seksiste të kësaj policie që në nguti për ta zbatuar urdhërin për pengimin e natës me muzikë kurde madje kërcënoi se do i vras qentë dhe këdo që është pronar i tyre.
Ne si kolektiv i Qendrës Sociale Sabota këtë ndërhyrje të policisë e lexojmë si ndërhyrje politike të motivuar dhe nxitur politikisht nga pushteti i instaluar në Kosove, nga elementet e shtetit turk përbrenda institucioneve, ambasadës turke si dhe shërbimit të këtij shteti, kështu që i bëjmë thirrje policisë që t’i liroj dy të rinjtë që kinse janë zënë duke planifikuar një sulm mbi Qendrën Sociale.
Ndaj këtyre të rinjve, dhe pjesës tjetër të shoqërisë që jeton në Kosovë është ushtruar dhe ushtrohet dhunë e përditshme nga pushteti i shtetit që, ndër tjerash, është ngushtë i lidhur me interesa të shtetit dhe kapitalit privat Turk në Kosovë. Andaj, çfarëdo përkrahje të Erdoganizmit që mundohen këto pushtete lokale e ndërkombëtare ta renderojnë edhe përmes ‘kinse’ sulmuesve potencial ne e cilësojmë si të dëmshme, të rrezikshme dhe të papranueshme. Me këtë është shfaqë, si shumë herë tjera, tendenca fashiste e pushtetit në Kosovë.
Qendra Sociale Sabota nuk është grupacion ilegal, përkundrazi të gjitha aktivitetet e saj i ka publike, nuk fsheh asgjë dhe nuk i frikohet askujt. Qendra Sociale Sabota është e hapur për të gjithë që duan të flasin, bashkëbisedojnë e diskutojnë lirshëm për çështje të ndryshme. Ndërhyrjet si kjo e fundit (po ashtu të kujtojmë thyerjen e xhamave dhe vizatimi i svastikave në një qendër tjetër sociale në Prishtinë), veç na vërtetojnë sa ndihet pushteti i frikësuar nga ekzistimi i hapsanave autonome ku zhvillohet mendim e veprimtari e lirë sociale e politike.
Se kush nuk është i dëshirueshëm në qendrën sociale Sabota, këtë e kemi përshkruar në platformën tonë, dhe këtu një vend kryesor zë pikërisht policia dhe elementet tjera represive që mundësohen dhe përcjellën nga shteti i Kosovës. Arsyeja se përse kësaj radhe nuk reaguam ndaj kësaj prezence të paligjshme të policisë lidhet me vendosmërinë tonë për të vazhduar me atë që më së shumti i pengoj kësaj policie, me atë që më së shumti i pengoj urdhërdhënësve. Pra, me veprimtari të lirë, me muzikë kurde.