27 Prill, 2023 - 12:44 pm
Në Bilbao të Spanjës është realizuar mbrëmë një koncert me emocione të forta, mjeshtrinë e të cilave protagonistja e zotëron si pakkush tjetër.
Bëhet fjalë për sopranon shqiptare, Ermonela Jaho, e cila këndoi nën shoqërimin e koncert maestër Rubén Fernández Aguirre.
Koncerti u dha në “Teatro Arriaga”. Vetë drejtuesit e teatrit të Bilbaos u shprehën se, kjo ishte ngjarja më e shumëpritur në morinë e produksioneve të këtij sezoni.
“Një nga datat më të pritura muzikore dhe lirike të sezonit është gati të ndodhë: Ermonela Jaho, e cila ka tronditur së fundmi Nju Jorkun, mbërrin në Teatrin Arriaga”, shkruhej në faqen online të teatrit.
Sopranoja shqiptare, fama e së cilës prej kohësh është ndërkombëtare, këndoi mbrëmë në Bilbao këngë dhe arie franceze e italiane, të cilat u vlerësuan nga profesionistët për “intensitetin e pastër dhe emocionin e vërtetë”.
Recitali përbëhej nga 5 blloqe, gjatë të cilave të pranishmit dëgjuan pjesë nga Bellini, Donizetti, Verdi, Mascagni, Massenet e të tjerë. Finalja ju dedikua Puccini-t, duke e mbyllur mbrëmjen me “Madama Butterfly”./ atsh / KultPlus.com