13 Shtator, 2021 - 9:02 pm
Sonte, ka filluar festivali i muzikës ‘ReMusica’.
Edicioni i 20-të i këtij festivali ka filluar me shfaqjen e dokumentarit ‘ReMusica 20 vjet’ i cili paraqet këtë festival në 20 vite të realizimit, transmeton KultPlus.
Ky dokumentar me regji të Hana Agimit, paraqet fytyra të shumta që kanë marrë pjesë që nga themelimi i festivalit.
Annette Vande Gorne, kompozitore e muzikës akusmatike, përkujton fillimin e këtij festivali, i cili ia risjell në mendje kohën e vizitës së saj të parë në Prishtinë në kohën e luftës.
“Kujtimi më asocon me vizitën e parë në Prishtinë, një qytet në luftë në njërën anë, ku ushtria e armatosur rrinte në hollin e hotelit, në anën tjetër shtëpitë e djegura, një manastir ortodoks rrethuar me thasë të mbushur me rërë dhe i mbrojtur nga ushtarët e Kombeve të Bashkuara.”- thotë Vande Gorne.
Kompozitori, Rafet Rudi, që drejtonte Qendrën Për Muzikën e Re, e cila themeloi këtë festival, flet për iniciativën që ndikoi në krijimin e ReMusica.
“Gjatë luftës ka qenë iniciativë e aktores Vanessa Redgrave që ta bëjë një festival dhe ta shfaqë në momentin kur Kosova të çlirohet, në kuadër të festivalit ajo kishte paraparë që të ketë një nismë qoftë për këtë festival ose iniciativa të ndryshme, natyrisht ambicia ime ishte që të fillojmë me një festival të muzikës moderne që unë atëherë e gjykoja që i mungon Kosovës.
Ndërër vite, fizinomia e këtij festivali ka ndryshuar, e këtë e shpjegon edhe udhëheqësja direkte e festivalit, Donika Rudi.
“Angazhimi im si udhëheqëse direkte e festivalit është realizuar në dekadën e dytë të festivalit, pikërisht në vitet kur edhe ndërron fizionomia e festivalit dhe kur ReMusica fillon e shtrihet edhe në epoka të tjera stilistike, duke futur kështu në program, repertuarin e vjetër të muzikës barok, renesancës e kështu me radhë, por duke pasur në fokus gjithmonë muzikën bashkëkohore.” – shton Rudi në këtë dokumentar.
Remusica gjatë viteve solli shumë programe te pasura, asamble dhe artistë të mirënjohur si: Petrit Ҫeku, Aki Takahasi, Marc Bouchkov, Andreas Richter, Annete Vande Gorne e shumë emra tjerë të mirënjohur të botës së muzikës. Festivali po ashtu ka pasuruar literaturën muzikore gjatë viteve me publikime nga artistët vendor për instrumente të ndryshme (kitarë, piano, instrumente të tunxhit etj) .
Sivjet, disa nga aktivitetet e festivalit do të mbahen në formë fizike, siç janë puntoritë dhe ligjeratat, ndërsa koncertet nga artistë të mirënjohur do të mbahen në formë dixhitale. Disa nga artistët më të shquar vendor dhe ndërkombëtar do të performojnë në saje të edicionit të 20-të si : Elbenita Kajtazi si soprano, Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, ndërsa Merita Rexha Tërshana është në piano si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë. / KultPlus.com