ReMusica jehoi shqip përmes koncertit “Natë Shqiptare”

1 Qershor, 2018 - 3:02 pm

Festivali ReMusica ka sjellë mbrëmë koncertin e radhës të suksesshëm të titulluar “Nata Shqiptare”. Mbrëmje kjo e cila solli interpretime të këndshme nga muzikantët si: Klevis Gjergji, Meriton Ferizi, Pëllumb Vula, Lejla Beqiri, Bledar Bujupi, Shkelzen Baftiari, Albin Abazi, Melos Buza dhe kori Siparantum, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare ka pritur koncertin “Nata Shqiptare”, koncert ky që mblodhi muzikantë të zot në kuadër të edicionit të 17-të dhe e cila pati në fokus kompozitorët dhe interpretët shqiptarë.

Koncert filloi me pianistin Klevis Gjergji dhe me veprën “Perhaps” nga kompozitori Endri Sina. Tutje pianisti me shumë mjeshtri solli edhe veprën “…upon…” nga Dorian Cene, për ta përmbyllur me “Prishtina Blues” nga Rafet Rudi. Vepra më karaktere të ndryshme të cilat edhe pse të shkruara së fundi u pritën mirë nga publiku.

Mbrëmja vazhdoi me “Trio Sonore” i përbërë nga Meriton Ferizi, Pëllumb Vula dhe Lejla Beqiri-Vula të cilët sollën kompozitorin Bashkim Shehu. Për të vazhduar me kombinimin e bukur të pianistit Melos Buza shoqëruar në obo nga Albin Abazi për të sjellë kompozitorin R.Schumann “3 romances”. Pas Schumann-it erdhi kompozitori B.Britten nga Albin Abazi. Një interpretim i bukur i “Six Metamorphoses”.
Tutje, para publikut u paraqit kuinteti pianistik i përbërë nga Meriton Ferizi-fagot, Pëllumb Vula-klarinet, Lejla Beqiri-flaut, Bledar Bujupi-kornë, dhe Shkelzen Baftiari në piano. Miq të festivalit të cilët kanë interpretuar edhe më parë pikërisht në kuadër të tij.

Ky program nga kuarteti pianistik është shfaqur edhe me parë në Gjakovë dhe në Shkup, kurse sonte ishte koncerti i tretë i këtij programi premierë përmes të cilit muzikantët kanë arritur që të tërheqin vëmendjen e donatorëve tashmë të njohur në Kosovë Dorothea dhe Georg Frankhauser nga fondacioni Pirolo. Kështu ky kuartet pianistik do të shfaqet më të njëjtin program edhe në Francë dhe në Zvicër tregoi për KultPlus, Lejla Beqiri-Vula.

“Luajtëm veprën nga Korsakov dhe Hans Huber. Dy kuintetë shumë të mëdha dhe shumë komplekse për nga ndërtimi. Hans Huber sonte ishte premierë në vendin tonë dhe më shumë gjasa edhe në Ballkan pasi që kompozitor është shumë i njohur në Zvicër por nuk është shumë i njohur për historinë e muzikës në përgjithësi. Pjesëmarrja jonë në këtë festival me karakter ndërkombëtar është shumë e rëndësishme dhe tejet motivuese për ne si artistë. Por edhe nxitje për ne që çdo herë të kemi një nivel të lart të performancës pasi që në këto festivale vijnë edhe artistë nga jashtë , prej vendeve me shumë më tepër traditë të muzikës klasike sesa që kemi ne këtu”, tha Lejla Beqiri-Vula.

Mbrëmja u përmbyll me korin Siparantum nga Pejë dirigjuar nga dirigjenti Memli Kelmendi. Ata për të pranishmit sollën veprën “Bum Çi-ke” nga Dafina Zeqiri Nushi, “Agnus Dei” dhe “Ater Umbra” nga Memli Kelmendi, “Ut Nobis Detur” nga Mendi Mengjiqi dhe “Siparantum” nga Kreshnik Aliçkaj.
“Kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur pasi që u interpretuan vepra të kompozitorëve shqiptarë nga instrumentistë shqiptarë, një mbrëmje e ndarë në tri blloqe, në atë për piano, instrumente frymore dhe pjesa e fundit ajo korale. Ky është një festival shumë i rëndësishëm njëlloj si kjo natë pasi që promovoi vlerat tona, kompozitorët tanë dhe interpretët tanë”, u shpreh Memli Kelmendi për KultPlus.
Sonte është nata e parafundit e këtij edicioni të festivalit “ReMusica” i cili në Kishën “shën Ndou”, në Ulpianë do të sjelle solistë të talentuar vokal, në koncertin e titulluar “Prishtina Baroque Night”./KultPlus.com

Të ngjajshme