ReMusica me dy koncerte në Himara International Music Festival

2 Gusht, 2023 - 11:30 am

ReMusica Festival i drejtuar nga kompozitorja Donika Rudi do të ketë dy paraqitje në Himara International Music Festival.

Në pikën më të lartë të kalasë, në kalanë shekullore të Himarës në Shqipëri, “Lament of the Earth” nga kompozitorja Donika Rudi do të hapë festivalin Himara International Music Festival këtë të enjte, përcjell KultPlus.

“Lament of the Earth” është vepër kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë dhe ngrohjes globale  e mbështetur nga platforma IN SITU – European Platform for Artistic Creation in Public Space, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe i Bashkimit Evropian / Teatri ODA.

Shfaqja do të prezantohet dy herë, në orën 19.30 dhe në orën 20.00.

LAMENT OF THE EARTH (Vajtimi i Tokës)është cikël i veprave audio-vizuale nga kompozitorja Donika Rudi kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, është thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit tonë. Fokusi thelbësor i këtij cikli është shtjellimi i temës së ndryshimeve klimatike dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët. Vepra është ndërtuar duke u bazuar në grafikën e “warming stripes” apo shiritat e ngrohjes globale, të cilat vizualisht portretizojnë ndryshimin afatgjatë të temperaturës në sipërfaqen e Tokës. Në pjesën e parë vepra përqendrohet në tinguj organikë, kryesisht në një qetësi dhe harmoni me tekst të autores Doruntina Basha, përderisa kulminacioni arrihet me tinguj të transformuar, të deformuar dhe vajtimin e tokës, thirrjes për veprim nga sopranoja Kaltrina Miftari. Gjuha e shenjave dhe vallëzimi është pjesë integrale e këtij cikli, ku përmes lojës së lëvizjeve, vallëzimit dhe “visual vernacular” do interpretohet dhe përjetohet emocioni i tingullit. Vepra adreson atë që të gjithë ndjejmë por nuk e flasim, vërejmë  por nuk e shohim, atë që na afekton por ne qëndrojmë indiferent.

Për këtë vepër me profesionalizmine  tyre kanë punuar: Donika Rudi, kompozitore, Kaltrina Miftari, soprano, Agnes Nokshiqri, gjuha e shenjave/visual vernacular & vallëzim Doruntina Basha, teksti Hana Zeqa (Fight or Flight), kostumi / skenografia, Labinot Rudi, sound / zëri.

Gjithashtu, kompozitorja Donika Rudi ka bërë më dije për KultPlus se në këtë festival do të paraqiten edhe me një tjetër koncert nga ReMusica Vocal Ensemble.

Nën qiellin e hapur, midis shtëpive të vjetra dhe Kishës së Gjithë Shenjtorëve në fshatin e Himarës, koncerti i Ansamblit vokal ReMusica do të mbahet me datën 3 Gusht 2023. 

Programi i ansamblit vokal ReMusica paraqet një zhytje të madhe në thesarin historik të muzikës shqiptare (deri vonë të panjohura për histiorografinë shqiptare ) të shekullit XIII dhe XIV me kompozitoret Gjergj Danush Lapacaj , Jan Kukuzeli (i cili njihet si reformator i notacioni të kishës lindore) dhe duke vazhduar deri te krijimtaria e kompozitorëve kosovarë si Mendi Mengjiqi, Memli Kelmendi dhe poashtu repertoari modern botëror.

Ky program i pasur, kryesisht  me vepra të autorëve tanë do t’jepet me datën 3 Gusht 2023 në Himarë. 

Ansambli vokal i Kosovës ReMusica është ansambël i formuar nga Festivali ReMusica dhe ai karakterizohet për repertoarin e tij të gjerë stilistik, duke filluar që nga muzika e vjetër – renesansë &  barok, repertoari modern shqiptarë e deri tek repertoari botëror bashkëkohor. Nën udhëheqjen e dirigjentit Rafet Rudi, tetë profesionistë janë bashkuar për të shpalosur muzikën korale me një finesë, ndjeshmëri interpretative duke synuar një standard shumë kërkues. / KultPlus.com

Të ngjajshme