24 Maj, 2023 - 7:26 pm
Mbrëmë, në Sallën e Kuqe me një koncert nga Orkestra e të Rinjve të Bashkimit Evropian, është shënuar përmbyllja e edicionit të 22-të të Festivalit ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.
Koncerti i mbrëmshëm, i 13-ti me radhë dhe i fundit njëkohësisht, ka qenë një bashkëpunim mes kësaj orkestre dhe instrumentistëve të rijnë nga Kosova, të cilët performuan në dy pika të koncertit.
Hapjen e koncertit e bëri organizatori i festivalit Shaban Behramaj, i cili i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre si dhe dha një rezyme të asaj çfarë do të përmbante koncerti në përgjithësi, ku me këtë rast edhe e paralajmëroi përmbylljen e festivalit.
Ndonëse një vend jo adekuat për mbajtjen e një koncerti të tillë, ambientet e Sallës së Kuqe ishin dekoruar me drita dhe lule, të cilat megjithatë dhanë një pamje të një skene solide ku mund të mbahej një koncert me muzikë klasike.
Në skenë dolën anëtarët e orkestrës me instrumente në duar. Ngjyra e zezë e veshjes, i dha skenës një elegancë të theksuar, ndërsa shallet të cilat vajzat i kishin të vendosura mbi supet e majta të tyre, shpërfaqnin flamuj të BE -së.
Pika e parë interpretuese qe ajo nga Johann Sebastian Bach, me Musical Offering in C minor, BWV.1079: Ricercar a 6, e cila filloi me tinguj të qetë të violinave, duke u pasuar pak më vonë edhe nga violonçelat.
Pas kësaj pike instrumentistëve të cilët gjendeshin në skenë, iu shtuan edhe muzicientët me instrumentet frymore, të cilët tingujve, u jepnin melodi më të hollë nga ajo që u interpretua deri tani. Kjo pikë u pasua nga tinguj më kumbues pasi në vallen e instrumenteve u përfshi edhe instrumenti goditës Bass Drum.
Këtë pikë, publiku në sallë e shijoi shumë, pasi sikur me radhë të gjitha instrumentet i prinin valles së bukur të melodive. Melodinë e bënte më të theksuar instrumenti frymor, prej së cilit pasoi violina, e cila i la radhë përsëri instrumentit frymor, dhe pastaj violinë dhe fyell së bashku në interpretim i dhanë tonin interpretimit, të cilin audienca po e shijonte shumë.
Kështu me radhë performuan secili instrumentist, duke pasur mundësi që të gjitha instrumentet t’i jepnin hijeshinë mbrëmjes.
Pika e tretë interpretuese, Terry Riley In C, filloi duke iu bashkuar edhe disa anëtarë të tjerë orkestrës, tingujve të së cilës iu shtuan edhe tingujt nga hapat e instrumentistëve të cilët ngjiteshin në skenë, ku gjatë gjithë kohës po performonte tinguj të njëtrajtshëm.
Kjo pikë u interpretua nga tinguj të lartë dhe të ulët të instrumenteve, ku instrumentet frymore i jepnin theks interpretimit, fundi i së cilës pikë përfundoi me tinguj konstant ashtu siç edhe filloi.
Pika e katërt e interpretimit ishte ajo e kompozitorëve Antonio Vivaldi, Hugh Crosthwaite dhe Cramen Fizzarotti me The Four Seasons. Kjo pikë, në qendër pati edhe solistin profesionist Daniel Rowland me violinë, përderisa në dy grupe përballë njëri tjetrit ishin pozicionuar violinistët tjerë. Pasioni i Rowland për këtë instrument dhe profesionalizmi tanimë vërehej shumë lehtë nga publiku, pasi ai tërë kohën fliste edhe me mimikë dhe pozitë trupore, e cila të jepte përshtypje se ishte fluide.
Në mesin e gjithë atyre violinave të cilat prodhonin tinguj jashtë mase të bukur, katër prej violinistëve filluan të interpretonin me gishtërinj, duke prodhuar tinguj shumë të veçantë, por që tingëllonin bukur po ashtu.
Solisti i Daniel Rowland, u shpreh se ishte i lumtur që po performonte, edhe pse për të ishte ishte hera e parë që po merrte pjesë në një koncert në Kosovë dhe në ‘ReMusica’ gjithashtu.
“Ishte kënaqësi të luanim në vendin tuaj për herë të parë. Unë jam këtu për herë të parë, por jo edhe të fundit. Unë jam shumë krenarë për këtë festival fantastik dhe çdo gjë që organizohet në këtë festival”, ka thënë solisti Daniel Rowland.
Pas koncertit në një prononcim për KultPlus, muzicientja Hana Hana, ka thënë që ky bashkëpunim me Orkestrën e të Rinjve të Bashkimit Evropian, ka qenë një eksperiencë shumë e bukur edhe pse ishte hera e parë që kishin bashkëpunuar me një orkestër të tillë.
“Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Për herë të parë na u dha rasti edhe neve të bashkëpunojmë me këtë orkestër, pasi ne si shtet nuk na është dhënë mundësia që të jemi pjesë e kësaj orkestre. Mendoj që ishte një mundësi shumë e mirë dhe siç edhe u vërejt nga instrumentistët edhe ata ishin të kënaqur me ne. Kështu që ishte mjaftë bukur sonte”, ka thënë Hana.
Instrumentistja më tutje shtoi se bashkëpunimi u kishte pëlqyer edhe kolegëve evropian, nga ku edhe shprehu dëshirë që shteti tu mundësonte edhe bashkëpunime të tilla të tjera.
“Kjo orkestër ka gati rreth 50 vite që është e themeluar dhe është hera e parë që vijnë në Kosovë. Kjo ishte hera e parë që kanë performuar në Kosovë. Disa nga instrumentistët u ndanë mjaftë të kënaqur, thanë që ishte një eksperiencë shumë e mirë. Shpresojmë që edhe vetë shteti do të jetë përkrahës i këtyre bashkëpunimeve që këta të mund të vijnë përsëri, dhe pse jo edhe ne si instrumentistë të rijnë të bashkëpunojmë me ta” ka thënë Hana.
Ndërsa muzicientja tjetër Alkesta Gllogjani në një prononcim për KultPlus, po ashtu tha se bashkëpunimi me Orkestrën e të Rinjve të Bashkimit Evropian iu dha një ndjenjë të veçantë, dhe se interpretimi së bashku me kolegë të vendeve evropiane ishte privilegj.
“Sot kaluam shumë mirë. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë bashkëpunimi me orkestrën e të rinjve të Evropës, që është një ndër orkestrat më të mira të rinjve në Evropë. Ishte me të vërtetë privilegj të luash me ta”, ka thënë Gllogjani.
Ajo më tutje tha se gjatë provave nuk e kanë pasur as më të voglin problem pasi përgatitjes së instrumentistëve evropian iu ishin përgjigjur me profesionalizëm.
“Orkestra e të rinjve të Evropës ka filluar me përgatitje qysh moti, kurse ne kemi pasur t’i paraqesim dy vepra në koncert. Orkestra e të rinjve të Evropës më herët na ka dërguar veprat nëpërmjet rrjeteve. Pastaj normalisht, ne i kemi ushtruar dhe sot për herë të parë jemi takuar me ta në provat gjenerale, nuk e kemi pasur asnjë problem gjatë përgatitjes për koncert pasi edhe ne e kemi treguar profesionalizmin tonë, ka thënë Alkesta Gllogjani.
Ky koncert shënoi edhe përfundimin e këtij edicioni të Festivalit ReMusica i cili kishte filluar më 3 maj, e i cili i dhuroi publikut të Prishtinës koncerte me pika të ndryshme artistike./KultPlus.com