7 Qershor, 2021 - 3:32 pm
Era Berisha
Ringjallja e jetës kulturore në Prishtinë, ambicia që kultura të zhvillohet, promovimi i krijimtarisë së shekullit XX, prurja e artistëve të mëdhenj të skenave botërore, janë këto vetëm disa nga karakteristikat të cilat e mbështjellin festivalin e ReMusica në përfaqësimin e krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar.
Festivali ReMusica rrugëtimin e ka nisur menjëherë pas luftës dhe shpesh herë është karakterizuar dhe si ‘festival kompozitorial’, ku prezantohet krijimtaria kosovare në një konkurrencë të denjë ndërkombëtare dhe kompozitorë të shumtë kanë rastin që potencialin e krijimtarisë së tyre ta ballafaqojnë në një konkurrencë prestigjioze duke hedhur hapin e parë drejt kulturës kosovare dhe zhvillimit të saj, shkruan KultPlus.
Rrugëtimi përgjatë 20 viteve të këtij festivali natyrisht që ka edhe fillet e para të cilat jo domosdoshmërisht nisin me bashkëpunime të rëndësishme e të nevojshme për nisjen e një festivali të tillë. Por, në vitet e para të festivalit, relacionet bashkëpunuese me asociacione e festivale të rëndësishme në botë dhe fondacionet e ndryshme si: Pro Helvetia, Gaudeamus, Nomura Cultural Foundation, Swedish Institute, British Council, KFOS, Goethe Institute, e të tjera, ishin ato që kanë lehtësuar bashkëpunimin e tyre me festivalin.
Veprat e John Cage, Karlheinz Stockhausen, Georg Crumb, Toru Takemitsu, Krzystof Penderecki, C. Debussy, P. Hindemith, Igor Stravinskyt, D. Schostakovich, ishin vepra kompetente që publiku pati rastin t’i dëgjoj e përjetoj për herë të parë në këtë festival. Pastaj, nga edicioni i pestë, ReMusica në vitin 2006 ka ndryshuar fizionominë duke futur kështu në program vepra të epokave të mëparshme stilistike, me të cilat muzika bashkëkohore mund të formoj paralele përmbajtësore dhe logjike. Krahas një vepre nga Bartoku është inkuadruar vepra e Bach-ut, pastaj kanë figuruar edhe sonatat e Moxartit, Beethovenit dhe Shubertit. Kurse, përkrahja konkrete ka ardhur pikërisht nga pianistja Aki Takahashi, e cila është konsideruar një burim frymëzimi që ky festival të vazhdoj tutje për të mbërritur deri tek suksesi që sot posedon.
Aktivitetet e festivalit janë shtrirë gjithmonë në Prishtinë duke u synuar qëllimi kryesor që festivali të jetë një projekt i Prishtinës por festivali është shtrirë edhe në pjesë tjera të Kosovës. Prandaj, nëse ka evoluar Prishtina si qytet, atëherë edhe festivali është zhvilluar njëkohësisht duke e bërë këtë zhvillim të përjetuar njësoj. Andaj, nëse ekziston diçka që nuk ka ndryshuar që nga fillimet e pas luftës, do të ishte Salla e Kuqe, vendi ku pothuajse gjithmonë janë mbajtur koncertet e festivalit.
Duke pasur parasysh që jeta e pasluftës në Prishtinë, është dashur të rindërtohet përsëri, po ashtu skena kulturore së bashku me Prishtinën që nga themeli është dashur të gjallërohet përsëri për të ndërtuar kështu skenën muzikore të dikurshme për të cilën secili njeri ka pasur nevojë dhe dëshirë të madhe që të rikrijohet përsëri.
Ideja themelore e festivalit ReMusica fillimisht ishte menduar të jetë një afirmim i shprehjes së re në fushën e artit muzikor, ide kjo që ka lindur nga bindja se shprehja e re dhe përgjithësisht moderniteti, e nënkuptojnë luftën permanente për informacion të ri që sjellë koha e re. Festivali është themeluar nga kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi, si ideator i ReMusica-s, së bashku me miqtë e tij, kolegët dhe kompozitorët nga Kosova si: Ilir Bajri, Zana Shuteriqi, Mendi Menxhiqi, Baki Jashari dhe Valton Beqiri. Kështu edhe është vendosur që të organizohet një festival i muzikës bashkëkohore.
Festivali filloi edicionin e tij të parë, në pranverën e vitit 2002 dhe emri i tij ReMusica, ka lindur pikërisht nga muzika bashkëkohore ‘’Muzika e Re – ReMusica’’. Ndërsa, përveç këtyre fakteve të lartpërmendura, një fakt tjetër që është shpalosur nga vetë drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi, është se ky festival ka lindur si vazhdimësi e aktiviteteve që ka zhvilluar ‘Qendra për Muzikën e Re’, menjëherë pas luftës, me nxitjen e aktores Vanessa Redgrave dhe përkrahjes morale të kompozitorit Philip Glass.
Përpos shpalosjes së rrugëtimit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e festivalit, Donika Rudi ka folur edhe rreth vështirësive më të mëdha në zhvillimin dhe prurjen e risive të reja në këtë festival përgjatë 20 viteve.
“Që nga themelimi i tij, festivali ka qëndruar në tri shtylla kryesore si: prezantimi i krijimtarisë së shekullit XX, krijimi i një shansi që muzika bashkëkohore e krijuar në Kosovë, t’i prezantohet publikut tonë në kuadër të një festivali sa më prestigjioz dhe gërshetimi i kulturës muzikore bashkëkohore shqiptare dhe kosovare me atë botërore për të përvetësuar kështu standardet më të larta artistike dhe për t’i shmangur tendencës së mundshme të ‘provincializmit’ të saj”, thotë Rudi.
Sipas saj, koncertet e mbrëmjes, masterklaset, punëtoritë, tribunat muzikologjike, koncertet pedagogjike ku kompozitorët tanë kanë shkruar miniatura për instrumente dhe formacione të ndryshme për të pasuruar krijimtarinë, koncertet tradicionale të muzikës elektroakustike dhe akustike si të vetmet në vend, segmentet e programit edukativ si: ReMusica Junior, janë këto vetëm disa formësime dhe zhvillime që kanë ndodhur në 10 vjeteshin e fundit duke rezultuar kështu në publik të diferencuar nga moshat më të ndryshme.
Ndërsa, duke pasur parasysh që secila ngjarje që zhvillohet në Kosovë has në problemin e infrastrukturës, ky problem njëlloj mbetet njëra nga sfidat kyçe me të cilin secili institucion i pavarur kulturor ballafaqohet çdo herë. Andaj, edhe festivali ReMusica nuk i është shmangur këtij problemi, prandaj edhe Rudi ka propozuar disa mundësi që vazhdimisht janë propozuar ndaj institucioneve publike.
‘’Sallat profesionale të interpretimit dhe skenës, stabiliteti financiar, mungesa e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë, mungesa e politikave stimuluese për pavarësim financiar të sektorit të kulturës dhe muzikës, janë këto vetëm disa nga sfidat me të cilat ballafaqohemi e të cilat do na përcjellin edhe në të ardhmen. Ne vazhdimisht jemi në varësi nga subvencionet publike të cilat jepen në baza vjeçare gjatë vitit kalendari, prandaj propozimet tona mbeten tek kontratat afatmesme deri në pesë vite dhe stimulimi i inkuadrimit të bizneseve dhe palëve të mundshme të interesit”, thotë Rudi për KultPlus.
Andaj, është menduar se nëse ky problem do të rregullohej, pasqyra e vërtetë financiare do ta lehtësonte çështjen e planifikimit programor me kohë. Kurse, ajo se çfarë ka ndikuar më së rëndi në mbajtjen e këtij festivali që gjithmonë mbahej në muajin maj por që realisht ka kaluar në karakterin objektiv është edhe situata me pandeminë.
“Jemi krenar që i mbetemi besnik fizionomisë së festivalit të krijuar gjatë tërë këtyre viteve, duke përpiluar program që reflekton kohët në të cilën muzika sot gjendet, si dhe pa mëdyshje përfaqësimin e krijimtarisë së kompozitorëve tanë në këtë program, ku gati nga 12 vepra të kompozitorëve vendas, ishin porosi të festivalit. Bashkëpunimi me artistët si dhe përkrahësit e festivalit kanë themeluar një trekëndësh akterësh duke bërë të mundur realizmin e këtij edicioni të veçantë”, shpalos Rudi.
“Pandemia zbuloi shumëçka, por më kryesorja është se sa të brishtë jemi dhe sa e madhe është nevoja që thërret për një ndryshim të mënyrës së jetës drejtë qëndrueshmërisë. Andaj, njerëzimi sot ndodhet para një sfide e cila kërkon shpresë, si shtytës për krijimin e ideve dhe planit për punë, që do kurorëzohet me ringjallje të njerëzimit. Pra, të ngjitemi dhe ti dalim zot detyrës që na pret”, potencon ajo.
Për Rudin, disa nga bashkëpunimet më të rëndësishme të janë realizuar përgjatë 20 viteve të fundit e të cilat ajo do i veçonte, si nga artistët vendor dhe atyre ndërkombëtarë janë: Aki Takahashi, Marc Bouchkov, Ko Matsushita, Jeremy Jouve, Pierre Fouchenneret, Mondriaan Quartet, Pierrot Lunaire Ensemble Wien, Trio Fibonacci, Guo Gan-erhu & Lingling Yu-pipa, Petrit Çeku, Ophélie Gaillard, Solistët e Zagrebit, Jonian Ilia Kadesha, Kroumata Ensemble, ProModern, Merita Rexha Tërshana, Romain dhe Thomas Leleu.
ReMusica konsiderohet një festival që gjithmonë ka hapur dyert për kompozitorët e rinj, andaj edhe në të gjitha edicionet e festivalit, një kujdes i madh i është kushtuar veprimtarisë së kompozitorëve të rinj dhe shënimit të përvjetorëve të kompozitorëve tanë të gjeneratave më të vjetra ku rreth 400 vepra të autorëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ardhur premierë në këto 19 vite të këtij festivali.
“Pothuajse, në çdo koncert të festivalit në 20 vitet e fundit, kemi pasur vepra të autorëve tanë, të cilat janë luajtur nga ansamble të ndryshme ndërkombëtare duke dërguar në një rezultat ku këto vepra janë futur në repertorët e tyre dhe kanë udhëtuar nëpër botë. Ky depërtim i autorëve përtej, është një rëndësi e madhe për autorët e veprave”, thotë Rudi për KultPlus.
Të gjitha këto vepra tashmë janë të regjistruara me standard profesional dhe sot ruhen në arkivin e festivalit duke u konsideruar një thesar i çmueshëm. Andaj, festivali ka një arkiv më të ruajtur dhe kompletuar të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar të tubuar në një vend që nga periudha e pasluftës. Kurse, deri më tani ekziston një numër tejet i madh i materialeve të ruajtura nga festivali ku Rudi ka shpalosur edhe faktin se do të publikohen 3 botime të CD-ve me vepra të zgjedhura të autorëve tanë dhe vepra të porositura nga Festivali ReMusica, të cilat janë realizuar këto 20 vite.
“Një mori botime me incizime nga autorë tanë dhe të ndryshëm si dhe CD me vepra të autorëve të rinj që janë shkruar enkas për ReMusica përgjatë 20 viteve, janë grumbulluar në një përmbledhje në 3 botime CD me audio incizime, ku është e pamundur vendosja e qindrave incizimeve por që seleksionimi është duke u bërë pikërisht në këtë periudhë ku përfshihen vepra korale, miniatura për instrumente, formacionet e ndryshme, vepra kamertale dhe orkestrale”, shpalos Rudi për KultPlus.
Krejt në fund, përveç 3 botimeve të CD me vepra të zgjedhura të autorëve tanë, vepra të porositura nga Festivali ReMusica të cilat janë realizuar këto 20 vite, Rudi ka treguar edhe disa nga detajet dhe risitë që ReMusica do të sjell këtë vit.
“ReMusica Festival do të vjen me rrufe aktivitetesh duke filluar nga ligjëratat, punëtoritë, bashkëpunime jashtëzakonisht të çmueshme me disa nga institucionet evropiane në fushën e muzikës të cilat do të jenë në fokus këtë vit, koncertet e mbrëmjes me emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtarë dhe vendore, programi edukativ dhe programi ‘ReMusica Junior’. Ndërsa, si veçanti është përgatitja e një filmi dokumentar rreth punës tonë 20 vjeçare me shumë informata, storie dhe intervista të pazbuluara deri më tani”, shpalos Rudi për KultPlus.
Kurse, qershia mbi tortë është edhe hapja e edicionit të 20-të të festivalit ReMusica nga sopranoja Elbenita Kajtazi e cila shoqërohet në piano nga Camille Lemonier, që do të nis me datën 07 shtator.
ReMusica Festival është një ndër shtyllat kryesore të jetës kulturore në vend dhe është anëtare e ECPNM (European Conference of Promoters of New Music) dhe EFFE Label (Europe for Festivals, Festivals for Europe). / KultPlus.com