ReMusica sonte me Korin e Filarmonisë së Kosovës përmbyllë edicionin e 17-të

2 Qershor, 2018 - 4:16 pm

Alberina Haxhijaj

Sonte bëhet mbyllja e edicionit të 17-të të festivalit “Remusica” i cili në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një natë korale me vepra të cilësuara si emblematike për muzikën shqiptare korale.

Koncerti do të ketë vepra të kompozitorëve të njohur si Gjergj Danush Llapacaj, Jan Kukuzeli, Rexho Mulliqi, Mendi Mengjiqi, Thoma Simaku, Feim Ibrahimi, Memli Kelmendi, Rafet Rudi, Kushtim Gashi, Lorenc Antoni, për ta mbyllur me kompozitorin Jake Runestad.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, u shpreh se ky koncert veçohet pikërisht për shkak të programit dhe veprave me të cilat kori është prezantuar fuqishëm edhe në Londër.

“Ky koncert është përgatitur disa muaj dhe lirisht mund të themi se një pjesë e këtij programi që prezantohet sonte në koncert është prezantuar suksesshëm edhe në Londër ku në fillim të muajit të kaluar kemi realizuar një turne koncertesh e ku kori ka pasur tri paraqitje”, tha ai.

Dirigjent i kësaj mbrëmje do të jetë dirigjenti Rafet Rudi i cili u shpreh se koncerti veçohet për nga shtrirja historike e veprave të cilat mund të konsiderohen si veprat më emblematike në muzikën shqiptare.

“Programi i sotëm është sajuar në atë mënyrë që të ketë një përfaqësim apo prezantim të krijimtarisë së mirëfilltë të autorëve shqiptarë, kosovarë natyrisht, me theks të posaçëm në veprat që ne i konsiderojmë emblemike për muzikën tonë korale. Pra përgjithësisht është një shtrirje e muzikës sonë korale që do ta prezantojmë në këtë rast”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i Filarmonisë me festivale të tilla si ReMusica por dhe me festivalet e fundit që u mbajtën në Prishtinë. Sipas tij përmes këtyre bashkëpunimeve Filarmonia po e realizon programin e saj të rregullt dhe në anën tjetër festivalet po sjellin solistë apo instrumentistë të cilët po i bëjnë më të veçanta këto paraqitje.

Koncerti do të mbahet sonte duke filluar nga ora 20:00 në kishën “Shën Ndou”, në Ulpianë. / KultPlus.com

Të ngjajshme